Burri i deputetes së LDK’së mbron shefin e AKI’së: Dokumentetet mund të binin në dorën e BIA’s

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 14:10
Burri i deputetes së LDK’së mbron shefin e AKI’së: Dokumentetet mund të binin në dorën e BIA’s

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, që është burri i deputetes së LDK’së, Lirie Kajtazi, thotë se në asnjë mënyrë nuk është dashur që dokumentet në kasafortën e presidencës, të bien në dorë të Eulexit. Sipas tij, ato do të mund të binin më pas në duar të shërbimit sekret serb.

Kryeministri Avdullah Hoti, në koordinim me ushtruesen e detyrës, Vjosa Osmanin, kanë kërkuar largimin e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashit.

Media ka mësuar se një nga arsyet e largimit të tij është çështja e kasafortës në Presidencë. Është raportuar se kasaforta në presidencë është tentuar të hapet nga një zyrtar i AKI’së dhe nga një këshilltar i ish-Presidentit Hahsim Thaci, një ditë pasi ai është nisur në Hagë.

Prokuroria Speciale nuk ka gjetur elemente të veprës penale në cështjen e kasafortës. Fadil Kajtazi, njohës i sigurisë, thotë se dokumentet që mund të kenë qenë në kasafortë, është dashur të ruhen, prandaj thotë se AKI’ja ka bërë mirë nëse nuk i ka lënë ato që të bien në duar të Eulexit. Eulex do të kryente bastisje në Presidencë, pasi Thaci u arrestua.

“Drejtori Kreshnik Gashi, ka marrë në veprim të domosdoshëm për të siguruar në radhe të parë organizatën e pastaj shtetin. Rënia në dorë e këtyre dokumenteve të pjesëtarëve të EULEKS-it, nuk do të thotë se nuk janë në dorë të BIA-s ose të VOS-it. Ata në vazhdimësi kanë siguruar dokumentacion nga UNMIK, dhe EULEKS. Nëse drejtori Gashi e ka bërë këtë punë me këtë motivacion, aj duhet të dekorohet e jo të shkarkohe”, ka shkruar Kajtazi.

Shkrimi i plotë:  

Rreth shkarkimit të drejtorit të AKI

Dokumentet e prodhuara nga shërbimet inteligjente, janë dokumente të cilat paraqesin rëndësi të lartë për shtetin. Ato janë gjuetia pas të cilave vrapojnë shërbimet inteligjente të vendeve armiqësore.

Dokumentet të cilat i servohen presidentit të vendit, kryeministrit, janë dokumente analitike të cilat pasqyrojnë analiza për situata dhe gjendje.

Marrja e këtyre dokumenteve nga një shërbim i huaj armiqësor, është me rrezik për punën operative të shërbimit, nga se shërbimi kundërshtar përmes këtyre dokumenteve lokalizon dy gjëra kryesore që shërbimet inteligjente i kanë top sekret; ato janë metoda dhe burimet.

Te metoda, nga këto dokumente shërbimi kundërshtarë mund të mësojë që nga formati se si hartohet një analizë, cilat elemente futen, cili është interesimi me prioritet i shtetit, kohën e raportimit, dhe përmes kësaj, i krijon atij lehtësi të madhe në krijimin e skemave të lojës së dyfishtë ku shteti orientohet në veprime të gabuara në politika të sigurisë, mbrojtjes, ekonomike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, arsimore, kulturore, fetare etj..

Gjithashtu, nga këto analiza, shërbimet kundërshtare armiqësore mund të lokalizojnë fillimisht hapësirat, edhe përmes kësaj edhe burimet dhe rrugët nga janë siguruar informacionet, çka rrezikon në masë të madhe edhe sistemin operativ i cili është shpirti i çdo shërbimi inteligjent.

Drejtori Krenar Gashi, ka marrë në veprim të domosdoshëm për të siguruar në radhe të parë organizatën e pastaj shtetin. Rënia në dorë e këtyre dokumenteve të pjesëtarëve të EULEKS-it, nuk do të thotë se nuk janë në dorë të BIA-s ose të VOS-it. Ata në vazhdimësi kanë siguruar dokumentacion nga UNMIK, dhe EULEKS. Nëse drejtori Gashi e ka bërë këtë punë me këtë motivacion, aj duhet të dekorohet e jo të shkarkohet.

Në një shkollë ku unë kam mësuar për këto punë, në mes tjerash na është mësuar se: nëse një dokument që komprometon punën e shërbimit rrezikon të bije në dorë të personave të paautorizuar, dhe nëse koha e asgjësimit fizik nuk të mjafton për ta asgjësuar, aj duhet te gëlltitet.

Po të isha në vend të Krenar Gashit, këtë material do ta nxirrja me çdo kusht, edhe me dhunë, do ta siguroja, dhe do të shkoja në burg.

Në anën tjetër, duhet të shikohet edhe një procedurë të cilën po e anashkalojmë. Ligjërisht cilat janë kompetencat e UD të Presidentit? A ka të drejtë UD i presidentit qasje të njëjte me Presidentin në dokumente të klasifikuara. A është i kategorisë së njëjtë shefi i kabinetit të UD të Presidentit me shefin e kabinetit të Presidentit sa i përket qasjes në dokumentacionin e klasifikuar.

Sipas konstalacionit të forcave politike në Kosovë, dhe sipas diskursit të tyre “vija kuqe”, shumë lehët mundë të bëhet dikush kryetar i kuvendit të Kosovës nga ndonjë parti që ka qëllime armiqësore për Kosovën, dhe pastaj nga një krizë si ko që është tani edhe UD i Presidentit, dhe rënia e dokumenteve të kategorisë kofidente në duart e tij ose asaj, është shkatërrim i punës shumëvjeçare të shërbimit, ose krijohet lëmshi të cilit nuk i gjendet fija asnjëherë.

(Kosova Sot Online)