Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa përgjegjësit kryesor për krizën presidenciale, e bllokuan qëllimisht ligjin për zgjedhjen e presidentit me votë nga qytetarët

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa përgjegjësit kryesor për krizën presidenciale, e bllokuan qëllimisht ligjin për zgjedhjen e presidentit me votë nga qytetarët

Gani Qarri

  • 18 December 2020 - 07:53

Shkruan: Gani Qarri

Sado që marrëveshja e nënshkruar aso kohe nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli pati rezultuar me finalizimin e ligjit për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit dhe amendamentin e Kushtetutës, të njëjtat marrëveshje, me preferencat e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës, nuk u nxorën asnjëherë për miratim në Kuvend, ndaj për pasojë, kemi ende edhe sot, një situatë të tillë, të krizës së theksuar politike, për pozitën e të parit të vendit, e cila sidomos kohëve të fundit është kthyer në luftë të hapur, për kapjen e shtetit dhe avancimin e interesave mafi oligarkike të klaneve puro kriminale politike në vend, gjë e cila mund të tejkalohet vetëm me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit me votat e popullit të Kosovës.

-Kapësit më eklatantë të shtetit, tanimë të njohur publikisht për të gjithë opinionin, sunduan në mënyrë arbitrare vendin dhe shoqërinë kosovare, përmbi një dekadë e më tepër me radhë, pothuajse të pa sfiduar nga askush, duke e lënë nën hije popullin e Kosovës dhe shumicën e segmenteve ekzistuese politike. Madje qysh me ardhjen e Hashim Thaçit & CO në pushtet, u vendos në mënyrë tërësisht klandestine bazamenti i parë kundërligjor i mungesës së llogaridhënies para popullit dhe segmenteve ekzistuese politike të mëdha e të vogla në vend, duke e kthyer në "ligj" keqpërdorimin publik të sistemit zgjedhor, si instrumentin më specifik, për manipulime të hapura politike në vend.

Dhe nga ajo kohë, përderisa në shtetet me demokraci të zhvilluar, të gjithë pjesëtareve të partive politike në mënyrë inkluzive duke marrë si bazë parësore vullnetin e shumicës së votuesve, u jepet mundësia për të vendosur mbi çështjet e rëndësishme, për vendin, në Kosovë ndodhë e kundërta, këtu vendosin apriori kryetarët autoritar të partive politike, siç veproi Thaçi përmbi një dekadë, pa pyetur askënd për asgjë, duke mbajtur të gjithë shtetin të kapur, kundërligjshëm nga ai dhe sejmenët e tij të inkriminuar.

Madje megjithëse ai tanimë gjendet i arrestuar nga Specialja në Hagë, kasta e degjeneruar politike e Kosovës, e cila këto veprime antiligjore i miratoi në heshtje gjatë gjithë kohës, dhe avazin e Thaçit e vazhdon edhe sot, tagrin për to, si dhe harraqin e bllokimit të marrëveshjes për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, përfshi reformën që kishte të bënte edhe me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit, marrëveshje kjo e arritur në paketë me marrëveshjen për zgjedhjen e ish presidentes Atifete Jahjaga më 6 nëntor te vitit 2011, po e paguan shumë shtrenjtë, jo vetëm, por bashkë me votuesit e Kosovës.

Për aq më tepër, pikërisht vullneti i qytetarëve dhe popullit të Kosovës, tash e 12-13 vite me radhë, po nëpërkëmbet në mënyrën më brutale ,herë nga Hashim Thaçi e herë nga Isa Mustafa,e herën e fundit, nga të dy bashkë, duke zbritur e ngjitur në pushtet me kalkulime politike, parti si LDK, e cila që nga ardhja e jugokomunitit Isa Mustafa në krye të saj, kurrë nuk i ka fituar, asnjë palë zgjedhje, por megjithatë me manipulimet e Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, i preferuari i tyre Avdullah Hoti, edhe pse me numrin gati më të vogël të votave të fituara në zgjedhje, u katapultua në krye të Qeverisë minore për ta udhëhequr vendin me Listën serbe, dorën e zgjatur të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".