Polici jashtë detyrës vret nënë e bir

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 11:13
Polici jashtë detyrës vret nënë e bir

Vrasja e një nëne dhe të birit të saj nga afërsia nga një polic jashtë detyrës ka shkaktuar reagime të shumta në Filipine dhe i ka ringjallur thirrjet për reforma në polici.

Incidenti që u incizua nga një dëshmitar i ka shtuar kritikat edhe ndaj Presidentit Rodrigo Duterte, i cili nga grupet për të drejtat e njeriut është akuzuar se ka lejuar policinë dhe ushtrinë që të veprojnë pa u ndjekur nga ligji dhe pa u ndëshkuar.

Në videon e incizuar nga dëshmitari shihet se si një polic grindet me fqinjën e tij dhe të birin e saj në moshë të rritur para se t’i qëllojë ata papritmas me armë nga një largësi e vogël.

Policia i quajtur Jonel Nuezca u dorëzua të dielën në polici. Ai tashmë është akuzuar për dy raste të vrasjes, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Dyshohet se grindja mes policit dhe viktimave filloi për shkak të përdorimit të një hedhësi të fishekzjarrëve, para se të përpiqej ta arrestonte djalin 25-vjeç, Frank Gregario. Në pamje shihet se nëna e tij u mundua që ta mbronte të birin nga arrestimi para se polici jashtë detyrës t’i qëllonte nënë e bir.

Presidenti Duterte ka reaguar pas incidentit duke thënë se policia duhet të veprojë sipas ligjit dhe se ky rast është shumë brutal.

Sidoqoftë, grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se vetë Duterte i ka nxitur policët që t’i vrasin të dyshuarit, madje duke u premtuar mbrojtje nga ndjekja penale.

Më parë, ai i kishte paralajmëruar aktivistët që të mos dorëzojnë raste kundër policëve dhe ushtarëve në gjykata për vrasje jashtëgjyqësore, duke deklaruar: “Ata kurrë nuk do të shkojnë në burg – jo nën mbikëqyrjen time.”

(Kosova Sot Online)