PDK: Shpenzimet e luksit u shumëfishuan gjatë qeverisjes së Haskukës në Prizren

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 14:57
 PDK: Shpenzimet e luksit u shumëfishuan gjatë qeverisjes së Haskukës në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës në Prizren ka publikuar një tabelë krahasuese të shpenzimeve përgjatë kohës së menaxhimit të kësaj komune nga Mytaher Haskuka nga VV’ja, si dhe Ramadan Mujës së PDK’së.

Sipas PDK’së, shpenzimet e luksit janë shumëfish më të mëdha nën qeverisjen e Vetëvendosjes sesa në qeverisjen e Partisë Demokratike, teksa theksin e vënë në suficitin buxhetor, prej 6.3 milionë eurosh.

Të dhënat e paraqitura në këtë tabelë, të organizuar nga PDK’ja, tregojnë se shpenzimet për udhëtim zyrtar jashtë vendit gjatë kohës së kryetarit aktual të Prizrenit kanë arritur në 21 mijë euro, ndryshe nga kryetari i kaluar që kishte shpenzuar 882 euro.

PDK tutje thotë se mëditjet për zyrtarë janë 16-fishuar.  Nga 1 mijë e 891 euro sa ishin më 2017 në kohë të PDK-së, në udhëheqjen e VV-së këto kanë arritur në 16 mijë e 545 euro.

Shpenzime të mëdha, sipas të dhënave në dispozicion nga kjo tabelë, kanë shkuar në 73 mijë më 2018’ën dhe 69 mijë euro më 2019’ën.

Kjo parti ka kërkuar edhe për planifikimin e një pakoje emergjente në shumë prej pesë milionë euro, në buxhetin për 2021’ën, për t’i ndihmuar të vetëpunësuarit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe biznesin në përgjithësi, për të cilat konsiderojnë se janë dëmtuar nga pandemia koronavirus.

(Kosova Sot Online)