Basri Lenjani: Qeveria ta ketë prioritet Emergjencën, pandemia na ka ngarkuar

  • E.K /
  • 24 December 2020 - 12:01
 Basri Lenjani: Qeveria ta ketë prioritet Emergjencën, pandemia na ka ngarkuar

Kryeministri Avdullah Hoti, ka vizituar sot menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Me këtë rast, para tyre është prezantuar puna që është bërë në SHSKUK gjatë këtij viti.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, tha se për shkak të pandemisë COVID-19, Emergjenca ka qenë e ngarkuar me pacientë.

“Për shkak të pandemisë, shërbimet emergjente kanë qenë të mbingarkuara. Megjithatë asnjë qytetarë nuk është kthyer mbrapa pa marrë shërbime”, tha ai.

Lenjani kërkoi që shërbimet emergjente të jenë prioritet për Qeverinë e ardhshme, pasi sipas tij Klinika Emergjente është shumë e ngarkuar me pacientë të cilët ankojnë nga probleme të ndryshme shëndetësore.

“Unë falënderoj ministrin që ka përkrahur Emergjencën, por kërkoj që shërbimet emergjente të jenë prioritet për çdo Qeveri, edhe për ato që do të vinë në të ardhshme. Ka shumë pacientë që kërkojnë ndihmë në Emergjencë”, shtoi ai.

Ndërsa, ministri Zemaj falënderoi punëtorët shëndetësorë për kontributin që kanë dhënë gjatë pandemisë.

(Kosova Sot Online)