ShBA-ja tregon pak mëshirë për Iranin, ia lejon transferet për blerjen e vaksinave

  • E.K /
  • 25 December 2020 - 12:56
 ShBA-ja tregon pak mëshirë për Iranin, ia lejon transferet për blerjen e vaksinave

Irani e ka marrë miratimin nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin e rezervave të valutave të huaja që i ka jashtë vendit për të blerë vaksina kundër koronavirusit, pavarësisht sanksioneve amerikane ndaj bankave iraniane.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati, tha se Zyra për Kontrollimin e Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit në Shtetet e Bashkuara e ka miratuar transferimin  e parave në një bankë zvicerane.

Hemmati bëri të ditur se Irani do të paguajë rreth 244 milionë dollarë për importimin fillestar të 16.8 milionë dozave të vaksinës së COVAX-it, që është plan botëror për shpërndarjen e vaksinave kundër sëmundjes Covid-19, i hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zyrtarët iranianë më herët kanë thënë se sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara po e pamundësojnë kryerjen e pagesave për programin COVAX, shkruan Free Europe.

“Ata (amerikanët) kanë vendosur sanksione ndaj të gjitha bankave tona. Ata e pranuan këtë rast nën trysninë e opinionit publik botëror”, tha Hemmati për televizionin shtetëror iranian.

Ndryshe, Irani është vendi më i prekur nga pandemia në Lindjen e Mesme dhe deri më tani ka regjistruar më shumë se 54.000 viktima të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)