Zbutet Erdogani, thotë se Turqia do lidhje më të mira me Izraelin

  • G.G /
  • 25 December 2020 - 14:04
Zbutet Erdogani, thotë se Turqia do lidhje më të mira me Izraelin

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të donte raporte më të mira me Izraelin dhe se bisedimet në fushën e inteligjencës janë duke vazhduar mes dy palëve.

Sidoqoftë, ai e kritikoi politikën e Izraelit ndaj palestinezëve, të cilët e cilësoi si të papranueshme, shkruan Reuters.

Raportet mes dy vendeve janë dobësuar shumë viteve të fundit, pavarësisht lidhjeve të forta ekonomike. Përkeqësiimi e arriti kulmin në vitin 2018, kur Turqia dhe Izraeli ia dëbuan ambasadorët njëra-tjetrës.

Duke folur para gazetarëve pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogani tha se Turqia ka probleme me njerëzit në nivelin më të lartë në Izrael dhe se raportet do të mund të ishin shumë më ndryshe, nëse nuk do të ekzistonin këto probleme.

“Politika për Palestinën është vija jonë e kuqe. Është e pamundshme për ne që t’i pranojmë politikat e Izraelit për Palestinën. Aktet e tyre të pamëshirshme atje janë të papranueshme”, tha Erdogan.

“Nëse nuk do të kishte probleme në nivelin më të lartë, lidhjet tona do të mund të ishin shumë më ndryshe. Ne do të donim që t’i sjellim lidhjet tona në një pikë më të mirë”, shtoi kreu i shtetit turk.

Dikur aleatë, Turqia dhe Izraeli i prishën raportet diplomatike në vitin 2018, kur ia përjashtuan ambasadorët njëri-tjetrit pas vrasjes së dhjetëra palestinezëve nga forcat izraelite në kufirin e Gazas.

Sidoqoftë, Ankaraja dhe Tel Avivi ende e vazhdojnë tregtinë mes vete.

Në vitin 2009, Erdogani ishte bërë kryelajm botëror kur në Forumin Ekonomik Botëror ishte përplasur ashpër me presidentin e atëhershëm të Izraelit, Shimon Peres, duke e akuzuar për vrasjen e palestinezëve. Pas përfundimit të fjalimit, Erdogani ishte larguar para kohës nga skena e forumit.

(Kosova Sot Online)