NY Times: Pabarazia ekonomike globale, një ndër efektet anësore të vaksinës

  • E.K /
  • 26 December 2020 - 11:56
 NY Times: Pabarazia ekonomike globale, një ndër efektet anësore të vaksinës

Në kohën kur po fillon vaksinimi kundër Covidit, pritet që rënia ekonomike të kthehet mbrapsht, por vendet në zhvillim janë në rrezik që të mbeten prapa.

Peter S. Goodman, The New York Times

Fundi i pandemisë më në fund po shihet në horizont. Njësoj po shihet edhe shpëtimi nga katastrofa ekonomike globale më traumatike që nga Depresioni i Madh. Përderisa vaksinat kundër Covidit hyjnë në rrjedhën e gjakut, shërimi është bërë realitet.

Megjithatë, përfitimet do të jenë larg nga ndarja e barabartë. Kombet e pasura në Evropë dhe Amerikë Veriore e kanë siguruar pjesën më të madhe të sasisë së kufizuar të vaksinave, duke e pozicionuar veten për pasuri ekonomike të përmirësuar në mënyrë të zymtë. Shtetet në zhvillim – që janë atdhe i shumicës së njerëzimit – janë lënë që t’i sigurojnë dozat e veta.

Shpërndarja e anshme e vaksinave duket sigurt se do të përkeqësojë një realitet ekonomik përcaktues: Bota që del nga ky kapitull i tmerrshëm në histori do të jetë me më shumë pabarazi se kurrë më parë. Shtetet e varfra do të vazhdojnë të rrënohen nga pandemia, duke i detyruar që t’i shpenzojnë burimet e pakëta që tashmë janë stërngarkuar nga borxhet në rritje ndaj huadhënësve në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Kinë.

Ekonomia botërore për një kohë të gjatë ka qenë e çarë nga pabarazi të thella në pasuri, shkollim dhe qasje në elemte jetike si uji i pastër, rryma dhe interneti. Pandemia i ka ushtruar vdekjen dhe shkatërrimin e jetesës në pakica etnike, gra dhe në familje me të ardhura të ulëta. Përfundimi ka gjasë që të shtojë edhe një ndarje që mund t’i japë formë jetës ekonomike për vite të tëra, duke i ndarë shtetet me qasje në vaksinë nga ato që nuk kanë diçka të tillë.

“Është e qartë se vendet në zhvillim, veçanërisht vendet në zhvillim që janë më të varfra, do të jenë të përjashtuara për ca kohë”, tha Richard Kozul-Wright, drejtor i Departamentit për Strategji të Globalizimit dhe Zhvillimit në konferencën e Kombeteve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim në Gjenevë. “Pavarësisht të kuptuarit se vaksinat duhet të shihen si e mirë globale, furnizimi mbetet në pjesë të madhe nën kontrollin e kompanive të mëdha farmaceutike në ekonomitë e zhvilluara”, shtoi ai.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmave, filantropistët dhe shtetet e pasura janë bashkuar rreth premtimit për t’u siguruar që të gjitha vendet t’i kenë mjetet e nevojshme për ta luftuar pandeminë, si pajisjet mbrojtëse për ekipet mjekësore, testet, terapitë dhe vaksinat. Sidoqoftë, ata dështuan që ta përkrahnin premtimin e tyre me të holla.

(Kosova Sot Online)