Uran Ismaili: Kurti e Hoti iu nënshtruan Vuçiqit, irrituese vaksinimi i serbëve në veri nga Serbia

  • E.K /
  • 26 dhjetor 2020 - 12:34
 Uran Ismaili: Kurti e Hoti iu nënshtruan Vuçiqit, irrituese vaksinimi i serbëve në veri nga Serbia

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka reaguar ndaj fillimit ta vaksinimit të qytetarëve serb në Veri të Kosovës, nga Serbia. Ai ka thënë që kjo është njëra ndër goditjet për sovranitetin e Kosovës.

Ismaili më tutje tha se dy kryeministrat Kurti dhe Hoti, iu nënshtruan veprimeve të Serbisë që ishin në dëm të Kosovës.

“Vaksinimi kundër Covid-19 që ka filluar në veri të Kosovës nga Qeveria e Serbisë – është një goditje për sovranitetin e shtetit tonë dhe fyerje e rëndë për qytetarët tanë. Kjo është hera e tretë, në pak muaj, që Serbia, në emër të pandemisë, cenon sovranitetin e shtetit tonë.  Është hera e tretë që dy Qeveritë e kaluara, Hoti dhe Kurti, u nënshtruan para veprimeve të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës.  Kjo mënyrë e depërtimit të Serbisë në Kosovë – një herë me teste, pastaj me personel shëndetësor, e sot edhe me vaksina, shpërfaq strategjinë e Serbisë, që përmes pandemisë, ta shkelë dhe dobësojë sovranitetin e Kosovës dhe ta avancojë agjendën e saj kundër shtetit tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij është irrituese për qytetarët e Kosovës që të shohin se si serbët në veri të vendit po vaksinohen nga Serbia.

“Është irrituese për qytetarët tanë të shohin se si një Qeveri armike e Kosovës hyn në Kosovë, vaksinon kundër Covid-19, e qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës jo vetëm që nuk kanë filluar të vaksinohen, por nuk kanë madje as më të voglën informatë se kur do të nisë vaksinimi nga shteti i Kosovës”, ka thënë më tutje Ismaili.

Ndaj sipas tij do të ishte e nevojshme ndërhyrja urgjente e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e vaksinës për Covid-19, pasi që siç tha ai në vendet e Evropës vaksinimi tashmë veçse ka filluar.

“Duke ditur se vaksina është mënyra e vetme që i jep fund pandemisë, prioriteti më i lartë i kësaj Qeverie do të duhej të ishte sigurimi i vaksinës. Kërkesa për një vaksinë të tillë është tejet e lartë.  Ka kohë që shtetet kanë garuar për të siguruar këtë vaksinë të rëndësishme për qytetarët e tyre.  Me mosveprimet e saj, Qeveria Hoti po rrezikon që shteti i Kosovës ta fillojë vaksinimin i fundit në Evropë dhe ta përfundojë vaksinimin i fundit në Evropë.  Në terma kohorë, i bie që vaksinimi të fillojë në vitin 2021 dhe të përfundojë dikur vonë në vitin 2022”, ka deklaruar ai.

Ismaili ka hedhur alarmin se mossigurimi i vaksinës nga Kosova, mund të ketë pasoja shëndetësore dhe ekonomike tek qytetarët.

“Mos-sigurimi i vaksinave për gjithë qytetarët e Kosovës ka pasoja shëndetësore dhe pasoja ekonomike gati të pallogaritshme dhe tejet të rënda.  Derisa Kosova sot ka zero vaksinim, Komisioni Evropian tashmë ka siguruar mbi 2 miliardë doza të vaksinës dhe shumica e shteteve anëtarë të BE-së kanë filluar vaksinimin.  Derisa Kosova sot ka zero vaksinim, vendet e rajonit tashmë kanë blerë vaksinat, duke iniciuar programet e vaksinimit në dhjetor dhe janar, por vetëm Qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje të saktë se kur do të fillojë dhe kur do të përfundojë vaksinimi.  Mungesa e vaksinave, fatkeqësisht, i lë qytetarët tanë të përballen me mbylljen pa afat, i lë punëtorët shëndetësorë çdo ditë të ekspozuar ndaj rrezikut, dhe thellon krizën drejt falimentimit ekonomik”, ka deklaruar sekretari i PDK-së, në një konferencë për media.

(Kosova Sot Online)