Arban Abrashi: Jemi unik, sondazhet na nxjerrin shumë më mirë sesa ato që po përfolen

  • E.K /
  • 26 December 2020 - 13:45
Arban Abrashi: Jemi unik, sondazhet na nxjerrin shumë më mirë sesa ato që po përfolen

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Arban Abrashi, ka folur për media pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së partisë ku është diskutuar për situatën politike të krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

I pyetur rreth sondazheve që janë publikuar së fundi, Abrashi ka thënë se partia që drejton Isa Msutafa është shumë më mirë sesa që thuhet nëpër debate e diskutime në rrjete sociale, që sipas tij paguhen nga dikush.

“Sondazhet LDK’në e qesin shumë ma mirë, sesa që po përflitet në debate e diskutime në ‘facebook’ që janë të paguara e të motivuara nuk e di se nga kush”, ka thënë Abrashi.

Për largimet e disa asamblistëve në Ferizaj, Abrashi ka thënë se është një lëvizje e vogël e personave me lidhje familjare. Sipas tij, s’ka kurrfarë përçarje në LDK.

“Jemi shumë ma shumë unik. Nuk kemi asnjë breng që dikush do të largohet. Kemi pas një lëvizje ose dy, që janë kanë lidhje familjare. S’kemi problem me çarje të LDK’së. Po mobilizohemi. Jemi unik. Tani i diskutojmë kriteret dhe kandidatin ditëve në vijim”, ka shtuar tutje Abrashi.

Sekretari i LDK’së ka thënë se ditëve në vijim do të kenë takime të shumta, ku do të diskutohet edhe për koalicionet e mundshme.

“Ditëve në vijim i sqarojmë edhe koalicionet e mundshme. Do të kemi shumë takime”, ka theksuar ai.

Derisa ka pohuar se deri tani ende nuk e kanë hapur çështjen e presidentit.

(Kosova Sot Online)