Zvicra më në fund bëhet me mbrojtje ajrore 24/7, ishte turpëruar më 2014

  • E.K /
  • 29 December 2020 - 13:49
 Zvicra më në fund bëhet me mbrojtje ajrore 24/7, ishte turpëruar më 2014

Ushtria e Zvicrës njoftoi të martën se shteti helvetik tani e tutje do të ketë mbrojtje ajrore me aeroplanë luftarakë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Kjo masë erdhi gati shtatë vjet pas rastit kur ushtria nuk arriti të përdorë aeroplanë luftarakë për t’iu përgjigjur një rrëmbimi jashtë orarit të punës.

Duke filluar nga data 31 dhjetor, dy aeroplanë luftarakë të tipit F-18 do të jenë në operim 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për ta mbrojtur hapësirën ajrore të shtetit të vogël, shkruan France24.

“Nga tani e tutje, shërbimi i policimit ajror do të jetë i gatshëm 24 orë në ditë për të ofruar sigurinë dhe sovranitetin e hapësirës ajrore të Zvicrës”, thuhet në deklaratën e ushtrisë zvicerane.

Në shkurt të vitit 2014, një pilot i kompanisë “Ethiopian Airlines” e kishte rrëmbyer aeroplanin që e drejtonte, ku ndodheshin 202 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, kur piloti tjetër kishte shkuar në tualet. Ai kishte thënë se dëshiron ta lëshojë aeroplanin në Zvicër, ku dëshironte të kërkonte azil.

Aeroplanët luftarakë francezë dhe italianë ishin dërguar për ta përcjellë aeroplanin e rrëmbyer atë vit. Forcat ajrore zvicerane kishin thënë se aeroplanët e saj janë në gjendje gatishmërie vetëm gjatë orarit zyrtar të punës.

Pas incidentit turpërues, Kuvendi i Zvicrës mori nismë që ta shtojë forcën e mbrojtjes ajrore me qëllim që dy aeroplanë luftarakë të jenë vazhdimisht në gjendje gatishmërie, të gatshëm për të fluturuar 15 minuta pas paraqitjes së kërkesës.

(Kosova Sot Online)