Banorët rrëfejnë tmerrin që përjetuan nga tërmeti në Kroaci

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 13:44
Banorët rrëfejnë tmerrin që përjetuan nga tërmeti në Kroaci

Shtëpi të sheshuara, çati të shkatërruara dhe dëme në strukturat e ndërtesave. Këto janë pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi Kroacinë. Më i dëmtuari ishte fshati Petrinja në afërsi të kryeqytetit, Zagreb.

Tërmeti i magnitudës 6.4 rihter, i mori jetën 7 personave dhe la të plagosur mbi 20 të tjerë. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë edhe në shtetet fqinje. Banorët në Petrinja janë ende të shokuar, teksa tregojnë atë që përjetuan.

“Familja Zlonoga nuk është më, nuk ka mbetur asgjë, nuk ka më as jetë këtu. Nuk dimë çfarë të bëjmë, ku të shkojmë? Një Zot e di. Vetëm ai mund të na ndihmojë ne”, shprehet një banore e fshatit.

Ekipet e shpëtimit punuan pa pushim për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat e godinave të shembura në Petrinja dhe qytete të tjera. Në ndihmë të tyre erdhi dhe ushtria. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm që Kroacia ka regjistruar ndonjëherë, ndërsa pas tij janë ndjerë shumë paslëkundje të forta.

(Kosova Sot Online)