PDK në Malishevë e gozhdon Fatmir Limajn: Politikan pa moral, i luftoi Thaçin e Veselin

  • E.K /
  • 30 December 2020 - 17:30
 PDK në Malishevë e gozhdon Fatmir Limajn: Politikan pa moral, i luftoi Thaçin e Veselin

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke thënë se nuk duan koalicion me partinë e tij dhe se po përfiton në kurrizin e ish-krerëve të PDK’së.

Dega e PDK’së në Malisheve këtë reagim e ka bërë në llogarinë e tyre zyrtare në ‘Facebook’, duke e cilësuar “gabim vetëvrasës” koalicionin me Limajn.

Kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se do ua vë veshin degëve e nëndegëve të shpërndara nëpërqytete të PDK’së lidhur me listat e deputetëve, ndonëse nuk ka përmendur kërkesat për koalicion.

Reagimi i plotë:

 POLITIKANI PA MORAL POLITIK DHE  NJERËZOR

Fatmir Limaj ishte ai i cili e ka luftuar në të gjitha format Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke akuzuar, shpifur dhe duke sulmuar të gjithë ata që përkrahnin mendimet e tyre.

Tani Fatmir Limaj, duke parë që nuk ka asnjë shpresë për të shpëtuar politikisht, po përpëlitet duke u munduar që shpëtimin ta gjejë në emër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, si dhe nën logon e PDK-së.

Por PDK-ja nuk do të bëjë këtë gabim vetvrasës, që të bëjë koalicion me njeriun, i cili është  personifikim i korrupsionit dhe shantazhit.

 Prandaj PDK-ja, dega në Malishevë dhe të gjitha strukturat organizative të saj, janë KUNDËR këtij koalicioni në të gjitha format.

(Kosova Sot Online)