Avdullah Hoti u vlerësua por mori edhe vërejtje në mbledhjen e LDK-së, nënkryetari e pranon: Ka kundërshti brenda

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 13:04
Avdullah Hoti u vlerësua por mori edhe vërejtje në mbledhjen e LDK-së, nënkryetari e pranon: Ka kundërshti brenda

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mërkurën, e ka zgjedhur Avdullah Hotin kandidat të këtij subjekti politik për kryeministër. Në mbledhjen ku u vendos që Hoti edhe një herë t’i prijë LDK-së në garën e zgjedhjeve, pati vlerësim për Qeverinë e udhëhequr nga ai, por edhe vërejtje. Megjithatë, ky diskutim nuk e ndryshoi rezultatin e votimit të anëtarëve të kryesisë, duke mos prodhuar vota kundër nominimit të Hotit në fund.

Në mesin e atyre që ka gjithmonë vërejtje është edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova. Por, ai për express nuk ka treguar nëse dje ka qenë njëri prej atyre që ka pasur vërejtje për qeverisjen e Hotit, ndonëse ka pranuar që ka kundërshti brenda LDK-së.

“Unë jam ai që jap gjithmonë vërejtje, por një gjë e di, që aty në mënyrë unanime, pa asnjë kundërshtim është votuar kandidatura e Z. Hoti”, tha Rugova. “Sigurisht që një parti serioze politike si LDK-ja ka edhe diskutim të brendshëm. Ne kemi edhe kundërshti të brendshme. Është një debat i brendshëm që është edhe publik”, shtoi ai.

Të shtunën e javës që shkoi, Rugova tha se “e kam një emër favorit për kryeministër, por nuk do t’ua them”, ndërsa as sot nuk pranoi të tregonte nëse favoriti i tij ka qenë Avdullah Hoti.

“Mua gjithmonë më pyesin ‘A je për Avdullah Hotin?’, ‘a je për Lumirin?’, ‘a je për dikë tjetër?’, por të gjithë janë meritorë. Është një gjë për të cilën unë s’dua ta sjell veten dhe partinë këtu. Të gjithë këta persona janë të rëndesishëm. Simpatitë e mia personale unë nuk nuk i shpreh publikisht, sepse nuk dua të nxis debat”, tha Rugova.

Pas vendimit për kandidatin, Rugova tha se po përgatiten për zgjedhje.

“I kemi qitë kriteret qe ia mundësojnë njerëzve të duhur të kandidojnë”, tha Rugova, ndërsa u shpreh i bindur se pavarësisht se si do të jetë rezultati, LDK-ja do të jetë faktor kyç në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shtetin.

“Gjithmonë ne kur hyjmë në garë, ne shkojmë për fitore. Por mos të mendojë askush që LDK-ja nuk do të jetë faktori kyç. Pavarësisht a del e para apo e dyta, LDK-ja do të jetë vendimtare për çdo vendimmarrje”, tha ai.

Aktualisht, Rugova nuk po mendon për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin e ri. I pyetur nëse do të rikandidojë sërish për kryetar të Istogut, ai theksoi se është i përqendruar në zgjedhjet qendrore, duke besuar se mund t’i mobilizojë votuesit e LDK-së atje që ta ndihmojnë partinë në garën e qendrës.

“Me thënë të drejtën, nuk jam duke menduar për zgjedhjet lokale hiç. Kapaciteti im do të jetë i përqendruar në zgjedhjet qendrore. Jam duke i angazhuar plotësisht. Kemi pasur zgjedhje të shkëlqyera dhe kontribut të jashtëzakonshëm nga Istogu. Me 8800 vota që i ka LDK-ja në Istog, ne kemi mundësi të ndihmojmë shumë që rezultati të jetë sa më i mirë”, u shpreh Rugova.

Ai konfirmoi fjalët e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të mërkurën, se emrat e përmendur si kundërkandidatë të mundshëm brenda, i kanë dhënë mbështetje nominimit të Hotit.

Mustafa dje pranoi se ka pasur diskutime, por tha se të gjithë pa dallim e kanë përkrahur kandidaturën e Hotit.

“Në kryesi kanë qenë të gjithë pro. Ka pasur diskutime shumë të hapura sot, por e kanë përkrah të gjithë. Asnjëri nuk ka kundërshtuar që Z. Hoti të jetë kandidati ynë për kryeministër. Kandidatë tjerë nuk janë propozuar sot në kryesi, ndërkaq për të qenë i hapur për ju, unë kam biseduar me njerëz për të cilët kanë pasë opinione të ndryshme që edhe ata do të ishin dhe i kam pyetur. Mirëpo të gjithë kanë vlerësuar që ne e kemi mandatin e qeverisjes, ne e kemi kryeministrin i cili i ka konsumuar vetëm 6 muaj si kryeministër i vendit dhe nuk kemi vlerësuar në asnjë rast si LDK që ne duhet të bëjmë ndryshime”, tha Mustafa.

Edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, pranoi të mërkurën në T7 se ka pasur vërejtje për Hotin në mbledhjen ku u vendos që të garojnë në zgjedhje në krye me të.

“Pak a shumë në mbledhje të kryesisë ka qenë orientimi rreth Z. Hoti. Është vlerësuar puna, është diskutuar rreth punës, janë diskutuar gjithsesi edhe disa vërejtje se diçka është dashur të bëhet më mirë, është shpjegu pse kanë ndodh ato vërejtje dhe natyrshëm ka rrjedhë diskutimi te Z. Hoti”, tha mbrëmë Abrashi.

(Kosova Sot Online)