Hoti uron festën e Vitit të Ri, nuk harron të përmend sukseset

  • A.P /
  • 31 December 2020 - 15:05
Hoti uron festën e Vitit të Ri, nuk harron të përmend sukseset

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ua ka uruar festën e Vitit të Ri qytetarëve të Kosovës, teksa ka përmendur edhe arritjet e qeverisë së tij përgjatë kohës së qeverisjes së legjislaturës së shtatë.

Hoti, përmes një videoje në ‘Facebook’, ka thënë se pakoja ekonomike ka qenë një ndër më të mëdhatë në vend, gjersa ka vlerësuar se Kosova ka qenë një ndër vendet që ka menaxhuar më së miri pandeminë.

“Qeveria ka bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve. Mbase kjo mbështetje nuk ka qenë në shkallën që qytetarët tonë e meritojnë. Pakoja jonë ekonomike ka qenë ndër më të mëdhatë në rajon”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka falënderuar edhe punonjësit shëndetësor, policët, inspektorët e qytetarët për, siç thotë ai, profesionalizmin e treguar përgjatë pandemisë.

“Lutjet e mia janë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Angazhimi i jashtëzakonshëm i mjekëve, infermierëve, policëve, inspektorëve dhe vetë qytetarët e kanë renditur Kosovën ndër vendet me sukses që e kanë menaxhuar këtë pandemi. Andaj dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra për profesionalizmin dhe vullnetin për të dalë në ndihmë, anekënd Kosovës”, ka shtuar i pari i ekzekutivit. 

(Kosova Sot Online)