Preket nga varianti i ri shteti që ka vetëm 35 viktima të COVID-19

  • E.K /
  • 02 January 2021 - 10:54
 Preket nga varianti i ri shteti që ka vetëm 35 viktima të COVID-19

Vietnami e ka regjistruar rastin e parë të variantit të ri të koronavirusit, i cili është përhapur me të madhe në Britani. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Varianti i ri u identifikua te një grua 44 vjeçe që erdhi nga Britania e Madhe. Ajo është vendosur në karantinë menjëherë pasi ka dalë pozitive në testin për Covid-19, shkruan Reuters.

“Shkencëtarët kryen sekuencim të gjeneve në mostrën e pacientes dhe zbuluan se virusi i përkent variantit të njohur si VOC 202012/01”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Vietnami vlerësohet si një ndër shtetet më të suksesshme në luftën kundër pandemisë. Atje deri tani janë regjistruar vetëm 35 viktima të koronavirusit.

Ky shtet është duke realizuar fluturime me Britaninë e Madhe me qëllim të kthimit të qytetarëve që janë bllokuar në një prej shteteve më të prekura nga pandemia.

Varianti i ri i koronavirusit tashmë është përhapur në dhjetëra shtete, përfshirë ShBA-në. Hulumtuesit thonë se ai përhapet më shpejt, por deri tani nuk ka dëshmi që shkakton sëmundje më të rëndë.

(Kosova Sot Online)