Gent Cakaj ia dorëzon detyrën Olta Xhaçkës, premton vazhdim të angazhimit në të mirë të shqiptarëve

  • E.K /
  • 05 January 2021 - 09:15
Gent Cakaj ia dorëzon detyrën Olta Xhaçkës, premton vazhdim të angazhimit në të mirë të shqiptarëve

Gent Cakaj e ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Ai ka bërë të ditur lajmin përmes një shkrimi në Facebook.

“Sot, edhe zyrtarisht, kam dorëzuar detyrën në duart e vyera të Olta Xhaçkës. Nga dita e sotme nuk do të jem thjesht një paraardhës politik i Oltës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme.  Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja”, ka thënë ai.

“Ndërkohë, patjetër, mbetem tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit, duke filluar nga forcimi i faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, vendimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesia e suksesshme të OSBE-së e deri te afrimi historik për marrjen e ulëses jo të përherëshme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.  Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Përpjekja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë”, ka shkruar Cakaj.

(Kosova Sot Online)