Aktgjykimi i Kushtetueses nuk e shpërndan automatikisht Kuvendin

  • A.P /
  • 06 January 2021 - 17:53
Aktgjykimi i Kushtetueses nuk e shpërndan automatikisht Kuvendin

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e plotë, me të cilin e ka shpallur Qeverinë të zgjedhur në mënyrë kundërshkushtetuese.

Në një pikë të këtij aktgjykimi, gjykata sqaron se konstatimi i saj se Qeveria nuk është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, nuk nënkupton shpërndarjen e Kuvendit automatikisht.

“Në fund, Gjykata gjithashtu sqaron se konstatimi që Vendimi i kontestuar i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 të Kushtetutës, nuk rezulton në shpërndarjen automatike të Kuvendit”, thuhet në pikën 286 të aktgjykimit.

Gjykata Kushtetuese po ashtu në disa pika trajton edhe çështjen e mundësisë së kandidimit në zgjedhje të atyre që janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Disa njohës të kushtetutës, përfshirë ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, thonë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të tjerët që janë dënuar në tri vitet e fundit nuk kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhje sipas aktgjykimit të Kushtetueses.

(Kosova Sot Online)