Përmbytjet në vend, Agim Veliu numëron komunat me gjendje më të keqe

  • E.K /
  • 08 January 2021 - 14:31
Përmbytjet në vend, Agim Veliu numëron komunat me gjendje më të keqe

Ministri në Detyrë i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë sot se pas reshjeve në Kosovë ka kërkuar ngritjen e gatishmërisë në nivel kombëtar të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Veliu përmes Facebook-ut ka thënë se janë duke e përcjellë më vëmendje të shtuar gjendjen aktuale të vërshimeve të pjesshme si pasojë e reshjeve të shiut.

“Deri më tani në Komunën e Gjakovës, Malishevës, Rahovecit, Drenasit dhe Suharekës ka pasur vërshime të pjesshme, derisa ekipet e AME-së janë në terren duke vepruar sipas nevojës dhe rrethanave.  Në komunat tjera situata momentalisht është e qetë dhe nën kontroll. AME do të koordinojë të gjitha veprimet operacionale me shtabet komunale, për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme, por edhe për t’i ndihmuar këto shtabe si me personel ashtu edhe me mjete. MPB do të informoi qytetarët në rast të përkeqësimit të gjendjes aktuale”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)