Benjamin Netanyahu e telefonoi 17 herë shefin e Pfizer-it, Izraeli pagoi më shtrejtë për të mos pritur

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 10:26
Benjamin Netanyahu e telefonoi 17 herë shefin e Pfizer-it, Izraeli pagoi më shtrejtë për të mos pritur

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka telefonuar 17 herë brenda pak ditëve shefin e kompanisë farmaceutike, Pfizer, për të siguruar më shumë doza të vaksinës kundër koronavirusit për vendin e tij.

Raportohet se Izraeli është pajtuar që të paguajë çmim 50 për qind më të lartë për doza se Britania e Madhe dhe tani ka vaksina të mjaftueshme për t’i vaksinuar të gjithë banorët mbi moshën 16-vjeçare deri në fund të marsit.

Për vetëm tri javë, Izraeli ka vaksinuar 1.8 milion banorë apo një të pestën e popullsisë. Sidoqoftë, ky shtet nuk e kishte porositur vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech deri në mesin e nëntorit, shumë më vonë se Britania, e cila kishte arritur marrëveshje për 40 milionë doza.

Besohet se autoritetet izraelite u pajtuan që të paguajnë 45 funte për një dozë, ndërsa Britania ka blerë një dozë për 30 funte, shkruan Daily Mail.

Duke folur në kushte anonimiteti, një figurë e lartë opozitare në Izrael e akuzoi qeverinë se ka paguar më shtrenjtë për vaksinën për të mos pritur në radhë.

Një zëdhënës i kompanisë Pfizer tha: “Çmimorja jonë është e mbështetur në vëllimin, zotimin për avancim, barazinë dhe parimin e aftësisë për ta përballuar çmimin.”

Ndryshe, Izraeli është një ndër shtetet më të suksesshme deri më tani në fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, ndërsa procesi në vendet evropiane po zhvillohet më ngadalë.

(Kosova Sot Online)