Tre të vdekur nga orteku në një qendër skijimi

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 12:12
Tre të vdekur nga orteku në një qendër skijimi

Tre persona kanë vdekur nga një ortek që ra në një qendër skijimi afër qytetit verior rus, Norilsk, në orët e vona të së premtes, bëri të ditur Ministria e Shërbimeve Emergjente.

Përmes një deklarate, kjo ministri njoftoin se në operacionin e kërkimit u përfshinë 242 persona dhe 29 automjete. Si rezultat i kërkimeve, u gjetën trupat e pajetë të dy të rriturve dhe një fëmije. Një djalë 14 vjeç është dërguar në spital për shkak të lëndimeve.

Në pamjet e publikuara nga mediet e atjeshme shihen punëtorët e shërbimit emergjent dhe vullnetarët duke u përballur me erë të fuqishme dhe mot të ftohtë natën përderisa po kërkonin në ndërtesat e mbuluara nga bora dhe akulli.

Komiteti për Hetime tha se ka dërguar zyrtarë në vendin e ngjarjes, që ndodhet rreth 300 kilometra brenda Rrethit të Arktikut, shkruan Reuters.

Ky organ i ka filluar hetimet për të vlerësuar nëse pronarët e ndërtesave kishin marrë apo jo masat e duhura të sigurisë. Ende nuk dihet kush ishin pronarët e katër ndërtesave të mbuluara nga bora.

Zyrtarët menaxhues në kompleksin Gora Otdelnaya thanë se orteku mbuloi një sipërfaqe prej 300 metrave katrorë.

Pjesa veriore e Rusisë ka dimra të ashpër e të gjatë, me reshje të mëdha të borës e temperaturë shumë të ulët, duke e bërë këtë pjesë shumë të papërshtatshme për banim.

(Kosova Sot Online)