Pas vërshimeve, Komuna e Podujevës ngrit Shtabin Emergjent

  • E.K /
  • 11 January 2021 - 12:11
Pas vërshimeve, Komuna e Podujevës ngrit Shtabin Emergjent

Pas vërshimeve të shkaktuara gjatë natës dhe sot, si pasojë e reshjeve atmosferike të ditëve të fundit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar disa nga zonat e vërshuara në këtë komunë.

Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH), Fevzi Jetullahu, sot kanë vizituar disa lokalitete për të përcjellë nga afër situatën e krijuar si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe borës gjatë ditëve të fundit.

“Komuna e Podujevës ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, Ekipin emergjent të Komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste dhe të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla”, tha Bulliqi.

Po ashtu për adresimin e problemeve dhe dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, kryetari Bulliqi porositi qytetarët që t’i shfrytëzojnë edhe platformën e komunikimit “Alo Komuna” në 0800 19 110.

Me qëllim të kordinimit ndërinstitucional dhe veprimeve të përbashkëta, konform situatës së krijuar Kryetari Bulliqi, sot ka ngritur edhe Shtabin Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin do ta udhëheq nënkryetarja, Marigona Lahu.

(Kosova Sot Online)