ShBA-ja nga sot u vendos taksa të reja Francës e Gjermanisë, a di gjë Grenelli

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 13:09
ShBA-ja nga sot u vendos taksa të reja Francës e Gjermanisë, a di gjë Grenelli

Qeveria e Shteteve të Bashkuara njoftoi të hënën se nga e marta do ta fillojë grumbullimin e taksave të reja për pjesët e aeroplanëve të prodhuara në Francë dhe Gjermani pas dështimit për ta zgjidhur mosmarrëveshjen 16-vjeçare me BE-në në lidhje me këtë çështje.

Përmes një njoftimi dërguar transportuesve në mbrëmjen e së hënës, Agjencia për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare e Shteteve të Bashkuara tha se taksat e reja do të zbatohen nga ora 12 e 1 minutë pas mesnatës të martën si pjesë e betejës së gjatë rreth ndihmave qeveritare për kompaninë evropiane, Airbus, dhe rivalen e saj amerikane, Boeing.

Ky njoftim erdhi pas një njoftimi tjetër të publikuar nga zyra e përfaqësuesit tregtar amerikan, në të cilin thuhet se do të zbatohen taksa shtesë prej 15 për qind për pjesët e aeroplanëve dhe 25 për qind taksë ndaj llojeve të caktuara të verës.

Bisedimet mes Uashingtonit dhe Brukselit për t’i dhënë fund kësaj beteje ngecën në javët përfundimtare të administratës së Trumpit, tha një burim evropian i afërt me këtë çështje, shkruan Reuters.

Të dyja palët kanë fituar raste në Organizatën Botërore të Tregtisë. Uashingtonit i është lejuar vendosja e taksave ndaj mallrave të BE-së me vlerë prej 7.5 miliardë dollarësh, ndërsa Brukselit i është lejuar vendosja e taksave ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara në vlerë prej 4 miliardë dollarësh.

Taskat e reja do ta prekin prodhimin e modelit të aeroplanit A320, i cili ka pjesë që prodhohen në Francë dhe Gjermani. Zyrtarët e kompanisë Airbus thanë se zgjerimi i taksave do të ketë efekt të kundërt me efektin e synuar, duke i dëmtuar punëtorët amerikanë në fabrikën e kësaj kompanie në Alabama.

(Kosova Sot Online)