Vetëvendosje ankohet për vendimin e KQZ-së që e votuan edhe dy anëtarët e saj

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 14:40
Vetëvendosje ankohet për vendimin e KQZ-së që e votuan edhe dy anëtarët e saj

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot ankesë në PZAP në lidhje me vendim e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për verifikimin e aplikacioneve të mërgatës për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në komunikatën lëshuar për media nga Zyra për Informim e kësaj partie është arsyetuar fakti se dy anëtarë të kësaj partie ka vendosur pro këtij vendimi.

Në shpjegimin e tyre thuhet se LVV’ja ka qenë e pajtimit që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adrese dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni.

Në reagimin e kësaj partie thuhet më tutje se përfaqësuesit e tyre në KQZ, në asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve

“Përfaqësuesit tanë për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja. Kjo teknikisht nuk është e mundshme dhe ligjërisht është e ndaluar”, thuhet më tutje në reagim.

Më tutje u theksua se KQZ’ja duhet të hartojë një Udhëzim Administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe anëtari i LVV’së, Dimal Basha. Përmes një postimi në “Facebook”, ai tha se kjo parti ka apeluar në PZAP vendimin sic e ka quajtur ai absurd të KQZ’së.

“Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka apelu në PZAP vendimin absurd të KQZ-së. KQZ është aty me i facilitu zgjedhjet, jo me i vështirësu ato. Në telefon le ta thirin njani tjetrin që iu mbet merak, por jo mërgatën, se kanë punë ma t’meçme se me nejt me telefon n’dorë me prit mos p’i thirr KQZ-ja. Veq dashni për mërgatën ë ë #14Shkurt”, thuhet në shkrimin e tij.

Njoftimi i plotë:

Sa i përket votimit të këtij vendimi nga përfaqësuesit e LV-së në KQZ duhet theksuar fillimisht se kërkesa e anëtarëve të tjerë të KQZ-së ka qenë që secili të aplikojë nga adresa elektronike personale, gjë e cila do të rezultonte në dërgesat individuale për votim dhe jo siç ka ndodhur deri tash ku votimet janë dorëzuar përmes një plikoje të përbashkët për anëtarët e ngushtë të një familjeje. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga dy përfaqësuesit e LV-së, sepse kjo do të krijonte probleme dhe komplikime për bashkatdhetarët. Jo secili bashkatdhetar mund të ketë email adresë personale, sidomos më të moshuarit, derisa dërgimi individual i zarfeve për votim do të krijonte shpenzime shtesë dhe humbje kohe për secilin prej tyre, e rrjedhimisht mosaplikimin dhe mosvotimin.

Për të shmangur problemet dhe komplikimet e tilla, përfaqësuesit e LV-së janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adrese dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni. Për zbatimin e vendimit KQZ duhet të hartojë një Udhëzim Administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ai pritet të miratohet sot. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate. Me këtë udhëzim, Sekretariati i KQZ-së duhet të udhëzohet t’i raportojë KQZ-së për të gjitha rastet me mospërputhje veç e veç që janë verifikuar dhe për hapat e verifikimit të ndërmarrë. Ky udhëzim administrativ duhet të bëhet publik menjëherë pas aprovimit.

Përfaqësuesit tanë për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja. Kjo teknikisht nuk është e mundshme dhe ligjërisht është e ndaluar! Por, pavarësisht se dëmi më i madh është evituar, e i cili vinte përmes komplikimeve dhe kufizimeve që përdorimi i email adresave personale dhe ndarja e zarfeve sjellte, ne sërish konsiderojmë që edhe me këtë vendim cenohet e drejta e bashkatdhetarëve tanë për të votuar. Andaj, në lidhje me të Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë iu është drejtuar PZAP-së.

Rikujtojmë që përfaqësuesit tanë disa herë kanë ngritur çështjen e aplikimit online të bashkatdhetarëve si mënyra më e lehtë, më e sigurtë dhe më efikase për aplikim, por një kërkesë e tillë është kundërshtuar dhe refuzuar nga anëtarët e subjekteve tjera. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku subjektet e njëjta kanë kundërshtuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të propozuar nga LV-ja e që do të mundëson votimin e bashkatdhetarëve nëpër ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

Këto subjekte politike që në vazhdimësi janë përpjekur të vështirësojnë dhe pamundësojnë pjesëmarrjen e mërgatës në vendimmarrje në vendlindjen e tyre janë kundërshtuar vazhdimisht nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Raporti i Lëvizjes më mërgatën është i qartë. Lehtësimi i procedurave të votimit për bashkatdhetarët dhe integriteti i procesit zgjedhur janë prioritet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfaqësuesve tanë në KQZ dhe qeverisjes sonë të ardhshme.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10157373906482000

(Kosova Sot Online)