Vendimi i KQZ-së “s’është gjë”, Uganda bllokon të gjitha rrjetet sociale para zgjedhjeve

  • E.K /
  • 12 January 2021 - 15:17
Vendimi i KQZ-së “s’është gjë”, Uganda bllokon të gjitha rrjetet sociale para zgjedhjeve

Uganda ka marrë vendim që t’i bllokojë rrjetet sociale dhe aplikacionet për mesazhe, dy ditë para zgjedhjeve presidenciale.

Përdoruesit e rrjeteve sociale të martën u ankuan se nuk patën mundësi që t’i përdornin Facebook-un dhe WhatsApp-in, të cilat përdoren gjerësisht për fushatë nga të gjitha palët në shtetin e Afrikës Lindore.

Në një letër që është parë nga agjencia Reuters dhe që u është dërguar ofruesve të shërbimeve të internetit, rregullatori ugandez i komunikimit dha urdhër që të bllokohen të gjitha platformat e rrjeteve sociale dhe aplikacionet për mesazhe deri në një njoftim të ardhshëm.

Fushata parazgjedhore është përcjellë me shtypje brutale ndaj tubimeve të opozitës, të cilat, sipas autoriteteve, janë në kundërshtim me rregullat kundër tubimeve të mëdha në pandemi. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se ky është pretekst për ta penguar opozitën.

Kandidati kryesor nga opozita, Bobi Wine, i cili është edhe këngëtar i popullarizuar, ka përkrahje të madhe nga të rinjtë në një shtet ku mbi 80 për qind e popullsisë është nën moshën 30-vjeçare.

Ky politikan llogaritet favorit në mesin e 10 kandidatëve, duke e sfiduar seriozisht presidentin e deritashëm, Musevini, i cili e kishte marrë pushtetin në vitin 1986 dhe i kishte sjellë stabilitet vendit pas regjimeve vrasëse të diktatorëve Milton Obote dhe Idi Amin, shkruan Reuters.

Përderisa forcat e sigurisë e kanë frikësuar opozitën në zgjedhjet e kaluara, fushata e këtyre zgjedhjeve ka qenë veçanërisht e dhunshme. Në nëntor, 54 persona u vranë pasi ushtarët dhe policët i shtypën me forcë protestat pas arrestimit të kandidatit të opozitës.

(Kosova Sot Online)