Brazili thotë se vaksina kineze është vetëm 50.4 për qind efektive

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 09:53
Brazili thotë se vaksina kineze është vetëm 50.4 për qind efektive

Sipas rezultateve më të reja të hulumtimit të shkencëtarëve brazilianë, vaksina kineze kundër koronavirusit, e zhvilluar nga kompania Sinovac, është efektive vetëm 50.4 për qind.

Të dhënat e reja treguan se kjo vaksinë është dukshëm më pak efektive sesa thuhej në të dhënat e mëhershme dhe përqindja e efikasitetit për pak e kalon pragun e kërkuar prej 50 për qind për miratim nga rregullatori.

Sinovac është kompani me bazë në Pekin dhe e ka zhvilluar vaksinën e quajtur CoronaVac. Kjo vaksinë funksionon duke përdorur grimca të vdekura të virusit për ta ekspozuar sistemin imunitar të organizmit ndaj virusit pa rrezikuar reagim serioz të sëmundjes, shkruan BBC.

Disa shtete, përfshirë Turqinë, Indonezinë dhe Singaporin, tashmë kanë porositur doza të kësaj vaksine.

Javën e kaluar, hulumtuesit në Institutin Butantan, i cili ka kryer teste të vaksinës në Brazil, thanë se vaksina është 78 për qind efektive kundër rasteve të mesme dhe të rënda me Covid-19.

Muajin e kaluar, hulumtuesit turq thanë se vaksina Sinovac është 91.25 për qind efektive, ndërsa Indonezia ka thënë se kjo vaksinë është 65.3 për qind efektive. Të dyja këto shifra janë nxjerrë nga rezultatet e përkohshme.

Ka pasur shqetësime dhe kritika se testimi i vaksinës kineze nuk është bërë në nivelin e njëjtë të kontrollit dhe transparencës si në vendet perëndimore.

Kompania Sinovac ka aplikuar për miratimin e përdorimit urgjent të vaksinës së saj në Brazil, shtet që është prekur shumë nga pandemia. Ky vend është i treti në botë me numrin e rasteve, pas ShBA-së dhe Indisë.

(Kosova Sot Online)