Komisioni Evropian i bie pishman që e quajti Kosovën republikë, e fshin postimin dhe e zëvendëson atë

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 11:27
Komisioni Evropian i bie pishman që e quajti Kosovën republikë, e fshin postimin dhe e zëvendëson atë

Shërbimi audio-vizual i Komisionit Evropian në Twitter që shpërndan lajmet nga Komisioni Evropian ka ndryshuar postimin e djeshëm në këtë rrjet social për takimin e u.d. së presidentit, Vjosa Osmani, me komisionarin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, pasi Osmanit iu referua si presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës.

Në postimin e parë, faqja e Komisionit Evropian ka shkruar “Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës”, të cilin pastaj e ka ndryshuar me “Presidentja në detyrë e Kosovës”, postim që edhe tani gjendet në këtë faqe.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar në Twitter pas postimit të parë të Komisionit Evropian duke u ankuar se Bashkimi Evropian po e njeh Kosovën pasi i është referuar si Republika e Kosovës.

Postimi i parë në Twitter i Komisionit Evropian ku i referohet Republika e Kosovës

Ndryshe nga Komisioni Evropian, institucioni tjetër i BE-së, Parlamenti Evropian, në takimet zyrtare i referohet Kosovës si Republika e Kosovës.

(Kosova Sot Online)