Irani teston raketa në det në kohën e tensioneve me ShBA-në

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 12:17
Irani teston raketa në det në kohën e tensioneve me ShBA-në

Televizioni shtetëror iranian raportoi se ushtria e Iranit ka testuar në det një raketë me rreze të shkurtër. Ky testim u bë në kohën kur tensionet mes republikës islamike dhe Shteteve të Bashkuara janë të larta.

Irani ka një ndër programet më të mëdha raketore në Lindjen e Mesme dhe i vlerëson këto armë si forcë e rëndësishme kundërvënëse dhe hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera në rast të luftës.

Perëndimi i sheh raketat e Iranit si kërcënim ushtarak ndaj stabilitetit rajonal dhe si mekanizëm i mundshëm për armët bërthamore, në rast se Irani i zhvillon ato, shkruan Reuters.

Në ushtrimet ushtarake po përdoren luftanija Makran, të cilën mediet shtetërore e përshkruan si luftanija më e madhe me një vend për lëshimin e helikopterëve, si dhe një anije për hedhjen e raketave, e quajtur Zereh. Ushtrimet do të zgjasin dy ditë dhe po kryhen në ujërat e Gjirit të Omanit.

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur që nga viti 2018, kur presidenti Donald Trump e largoi vendin e vet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Më pas, ShBA-ja vendosi sanksione të ashpra kundër Iranit, duke i bërë presion për të biseduar për masa më të rrepta ndaj programit bërthamor.

(Kosova Sot Online)