Italia nis gjykimin masiv të mafias, qendra e thirrjeve bëhet sallë gjykate

  • G.G /
  • 13 January 2021 - 12:38
Italia nis gjykimin masiv të mafias, qendra e thirrjeve bëhet sallë gjykate

Qindra anëtarë të dyshuar të grupit më të fuqishëm mafioz në Itali pritet të përballen me drejtësinë në procesin më të madh gjyqësor kundër krimit të organizuar në dekadat e fundit.

Pas hetimeve të gjata rreth grupit mafioz, Ndrangheta, autoritetet ngritën akuza ndaj 355 banditëve të dyshuar dhe zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, shkruan BBC.

Pritet që në këtë proces të dëshmojnë mbi 900 dëshmitarë. Të akuzuarit përballen me akuza të ndryshme, përfshirë akuzat për vrasje, trafikim droge, zhvatje dhe pastrim të parave. Mendohet se gjykimi do të zgjasë mbi dy vjet.

Procesi do të zhvillohet në një ndërtesë të modifikuar enkas për këtë çështje në rajonin jugor të Kalabrisë, që ndodhet në zemër të territorit që kontrollohej nga grupi mafioz.

Autoritetet e shndërruan një qendër të thirrjeve në sallë gjykate për të siguruar hapësirë të mjaftueshme për qindra personat që do të marrin pjesë në seanca. Asnjë proces kaq i madh gjyqësor kundër mafias nuk është zhvilluar në Itali që nga vitet e tetëdhjeta.

Gjatë një seance dëgjimore, u nevojitën më shumë se tri orë vetëm për t’ua lexuar emrat të pandehurve. Në mesin e tyre ka politikanë, policë, shërbyes civilë dhe anëtarë të dyshuar të mafias.

I pandehuri i profilit më të lartë është personi që dyshohet se është shef i grupit mafioz, Luigi Mancuso, 66 vjeç, i njohur si “daja”.

Grupi Ndrangheta besohet se kontrollon sasi të madhe të kokainës që hyn në Evropë nga Amerika Jugore dhe vendet tjera.

Figurë e rëndësishme në këtë proces gjyqësor është edhe prokurori më i famshëm kundër mafias, Nicola Gratteri, i cili ka jetuar me mbrojtje policore për më shumë se tri dekada.

(Kosova Sot Online)