Thatësi e madhe në Turqi, Stambolli mund të mbetet pa ujë pas 45 ditëve

  • E.K /
  • 13 January 2021 - 14:59
Thatësi e madhe në Turqi, Stambolli mund të mbetet pa ujë pas 45 ditëve

Disa qytete të rëndësishme në Turqi mund të mbeten pa ujë në muajt e ardhshëm. Ka paralajmërime madje se qyteti më i madh, Stambolli, mund të mbetet pa ujë pas më pak se 45 ditëve.

Reshjet e pakta të shiut e kanë shkaktuar thatësinë më të madhe në dekadën e fundit dhe e kanë sjellë qytetin me 17 milionë banorë afër mbetjes pa ujë, sipas Odës Turke të Inxhinierëve Kimikë.

Kryetari i kryeqytetit Ankara, Mansur Yavaë, tha këtë muaj se ky qytet ka ujë vetëm edhe për 110 ditë në diga dhe rezervuarë, shkruan The Guardian.

Izmiri dhe Bursa, qytete tjera të mëdha, gjithashtu kanë probleme me ujin. Digat në Izmir janë të mbushura vetëm 36 për qind, ndërsa digat në Bursa vetëm 24 për qind.

Fermerët që merren me kultivimin e grurit në rajonet si Konya dhe Edirne, në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë, po paralajmërojnë se të mbjellat do të shkojnë dëm.

Niveli i ulët i reshjeve në pjesën e dytë të vitit të kaluar, që në nëntor arriti në 50 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak, bëri që muajin e kaluar drejtoria për çështje fetare t’i udhëzojmë imamët dhe xhematin e tyre për t’u lutur për shi.

Turqia është përballur disa herë me thatësira që nga vitet e tetëdhjeta për shkak të rritjes së popullsisë, industrializimit, zgjerimit urban dhe ndryshimeve klimatike.

Për një kohë të gjatë, ky shtet i ka dhënë përparësi rritjes ekonomike para shqetësimeve mjedisore dhe mbetet vendi i vetëm i grupit G20, përveç ShBA-së, që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen e Parisit të vitit 2015 për çështjen e klimës.

(Kosova Sot Online)