Fatmir Limaj: Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë

  • E.K /
  • 15 January 2021 - 11:42
Fatmir Limaj: Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë

Kryetari i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka bërë homazhe për nder të 22-vjetorit të masakrës se Reçakut

Ai tha se masakra e Reçakut është një kthesë e madhe për gjithë kombin shqiptar.

“Si çdo vit në janar vijmë për të kujtuar e nderuar shumë burra e djem të ri të cilët janë dëshmi e gjallë e terrorit shtetëror serb që nuk kurseu asgjë e askënd për të arritur objektivat e tyre. Janari në Reçak është i kthesës së madhe për të gjithë kombin shqiptar. Këta burra që I kemi e që sot vijmë I nderojmë e ka objektivin jo vetëm për ti nderuar ata por për ti përkujtuar se lirinë të cilën e gëzojmë është e paguar thellë e me shumë gjak e sakrificë, dhe këtë liri që e kemi ne sot nuk e kemi të falur por të paguar shtrenjtë”, ka  thënë Limaj.

Sipas tij, masakra e Reçakut vazhdon të jetë njolla dhe fytyra e Serbisë që e përcjellë atë.

“Reçaku vazhdon të jetë fytyra e turpit të Serbisë. Vazhdon të jetë njolla e cila përcjell dhe është njollë në ballin e drejtuesve të Serbisë që vazhdojnë ta mohojnë dhe që e bën këtë masakër”, ka deklaruar më tutje ai.

Kjo masakër, sipas Limajt është sinjal i mjaftueshëm për botën e qytetëruar, se në krye të Serbisë janë drejtues që kanë masakruar e  terrorizuar një komb.

“Derisa në Beograd vazhdon të mohohet gjenocidi dhe masakrat që janë bërë anembanë Kosovës dhe këtu në Reçak, është sinjal i mjaftueshëm për botën e qytetëruar për të treguar që në Serbia ta që kanë masakruar dhe terrorizuar një komb vazhdojnë ta drejtojnë vendin e tyre”, ka deklaruar Limaj.

(Kosova Sot Online)