Franca ashpërson rregullat e testimit për Covid-19 për udhëtarët jashtë BE-së

  • E.K /
  • 15 January 2021 - 11:57
 Franca ashpërson rregullat e testimit për Covid-19 për udhëtarët jashtë BE-së

Autoritetet franceze kanë njoftuar se udhëtarët që vijnë nga shtetet që nuk janë pjesë e BE-së nuk do të kenë më mundësi të futen në territorin e Francës përmes testit të shpejtë për koronavirus.

Rregullat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 18 janari, janë caktuar përmes një dokumenti të qeverisë franceze. Sipas këtij dokumenti, udhëtarëve jashtë BE-së nuk u vlen testi me antigjen.

Këto teste, të cilat e japin rezultatin më shpejt, janë përdorur gjerësisht nga vozitësit e kamionëve që transportojnë mallra mes Britanisë dhe Francës, shkruan Reuters.

Ende nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kenë rregullat e reja për shkëmbimin tregtar mes Francës dhe Britanisë, i cili edhe ashtu është prekur nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

Nëse testet me antigjen nuk pranohen, udhëtarët do të jenë të detyruar që të bëjnë teste PCR, të cilat e japin rezultatin vetëm pas disa ditëve dhe është më vështirë të gjenden në Britani.

Ndryshe, Franca është një ndër shtetet më të prekura nga pandemia në Evropë. Deri tani, atje janë regjistruar mbi 2.8 milionë të infektuar dhe mbi 69.000 persona të vdekur nga Covid-19.

(Kosova Sot Online)