Hoti: Kurtit e Osmanit duhet t’ua tregojmë vendin para se ta bëjnë Kosovën si Kore të Veriut

  • A.P /
  • 15 January 2021 - 15:52
Hoti: Kurtit e Osmanit duhet t’ua tregojmë vendin para se ta bëjnë  Kosovën si Kore të Veriut

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar ish-qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, se e kishte shndërruar Kosovën në Kore të Veriut. Duke folur para strukturave të partisë në Podujevë, kryeministri në detyrë ka komentuar edhe zyrtarizimin e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe ish-nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani. Ka thënë se “të dyve duhet me ua tregu vendin”.

“Është momenti me e ditë qytetarët që qeveria paraprake e ka izoluar vendin dhe ka qenë duke e dërguar vendin në shkatërrim total duke e kthyer Kosovën në Kore të Veriut, duke i prishë marrëdhëniet edhe me Tiranën diçka që askush se ka paramenduar. Kjo ka qenë arsyeja pse ne është dashtë të marrim vendimin me u tërheq prej qeverisë paraprake. Falë qeverisjes tonë shumë prej këtyre dëmeve janë sanuar dhe Kosova është kthyer në kursin perëndimor”, ka deklaruar Hoti.

“Ajo që ndodhi dje e ka vërtetuar atë shprehjen e kamotshme popullore që secili e merr atë që e meriton. Në fund sillesh e pështillesh edhe e merr atë që meriton. Me atë marrëveshje që dje e kanë arritur e kanë marrë atë që e meritojnë, të dytë së bashku në pako. Besoj që Podujeva dhe Llapi duhet me u bë gati që të dyve bashkë, me ua tregu vendin”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur se kundërshtarët e LDK-së në këto zgjedhje janë kundërshtarë të Kosovës.

“E kemi pa ditë me parë se çka ndodhi në Uashington dhe kjo është me rëndësi për ta kuptuar se ne duhet të angazhohemi për të ruajtur demokracinë sepse demokracia rrezikohet në çdo vend e edhe në SHBA. E këta kundërshtarët tanë që i kemi përballë në këto zgjedhje janë duke e rreziku demokracinë tonë. Por LDK do të mobilizohet dhe do t’u dalë përballë përpjekjeve të tilla”, ka deklaruar më tej Hoti.

Të enjten, Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizoi marrëveshjen me Osmanin. Ajo do të jetë kandidate për presidente, teksa Kurti kandidat për kryeministër.

(Kosova Sot Online)