Bënë 80 kilometra në pandemi për të blerë hamburgerë, dënohen

  • A.P /
  • 15 January 2021 - 15:58
Bënë 80 kilometra në pandemi për të blerë hamburgerë, dënohen

Tre persona janë dënuar me nga 100 euro në Irlandë pasi ata i thanë policisë se kanë udhëtuar mbi 80 kilometra për të blerë hamburgerë.

Si pjesë e masave kufizuese kundër përhapjes së pandemisë, qytetarët e Irlandës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë më larg se 5 kilometra nga shtëpitë apo banesat e tyre pa ndonjë arsye të fortë.

Kur policia e ndali një veturë në rrugën “Sean More” të Dublinit, vozitësi u tha zyrtarëve se së bashku me dy pasagjerë ka udhëtuar 80 kilometra nga County Meath për të marrë me vete hamburgerë nga një restorant, shkruan Irish Central.

Në një rast tjetër, një vozitëse u ndal nga policia në Midleton dhe u pajtua që të kthehet në shtëpi. Sidoqoftë, më vonë ajo u pa përsëri më larg se 5 kilometra nga shtëpia dhe iu shqiptua një gjobë.

Në bazë të masave në fuqi, irlandezët mund të largohen më shumë se 5 kilometra nga shtëpia e tyre për disa arsye, përfshirë udhëtimin për në punë, pjesëmarrjen në seancë të gjykatës, për arsye të rëndësishme familjare dhe për të blerë ushqim, nëse personi s’ka dyqan më afër se 5 kilometra nga shtëpia.

Irlanda ka rregulla mjaft të ashpra për luftimin e pandemisë. Në të kaluarën, tre persona janë dënuar me burgim për shkeljen e ndalimit për të udhëtuar. Njëri prej tyre është dënuar me katër muaj burgim.

(Kosova Sot Online)