SHBA me sanksione ndaj kompanive në Kinë, Iran dhe Emirate të Bashkuara Arabe

  • A.P /
  • 15 janar 2021 - 22:06
SHBA me sanksione ndaj kompanive në Kinë, Iran dhe Emirate të Bashkuara Arabe

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar kompani nga Irani, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për tregtimin e çelikut me Linjat e Transportit të Republikës Islamike të Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni kishte sanksionuar shtatë subjekte dhe dy individë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së për transportimin e çelikut nga ose në Iran, duke përfshirë kompaninë me bazë në Kinë: Jiangyin Mascot Special Steel Co. dhe atë nga Emiratet e Bashkuara Arabe: Accenture Building Materials. Pompeo gjithashtu sanksionoi tri kompani të mbrojtjes iraniane si përhapëse të armëve konvencionale.

Sanksionet e fundit amerikane ndaj Iranit vijnë derisa presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, i cili do të inaugurohet më 20 janar, ka sinjalizuar se Uashingtoni do të kërkojë të rifillojë diplomacinë me Iranin.

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që nga viti 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje bërthamore ndërkombëtare midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe vendosi sanksione shkatwrruese, si pjesë e një fushate tw “presionit maksimal”.

Në përgjigje të tërheqjes së SHBA dhe sanksioneve ekonomike, Teherani gradualisht ka shkelur pjesë të paktit bërthamor – sipas të cilit Teherani u zotua të kufizojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit nga sanksionet.

(Kosova Sot Online)