Jep dorëheqje sekretari amerikan i Shëndetësisë, përmend sulmin ndaj Capitolit

  • S.A /
  • 16 January 2021 - 08:58
Jep dorëheqje sekretari amerikan i Shëndetësisë, përmend sulmin ndaj Capitolit

Sekretari për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore i Shteteve të Bashkuara Alex Azar, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij, duke e përmendur sulmin e pëkrahësve të Trumpit ndaj ndërtesës së Capitolit.

Përkrahësit e Trumpit hynë me forcë në ndërtesën e Capitolit më 6 janar dhe u përplasën me forcat e sigurisë. Pesë persona mbetën të vdekur gjatë dhunës, përfshirë një polic.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se secili anëtar i Kongresit që u ka dhënë ndihmë personave të dhunshëm që ta sulmojnë ndërtesën e rëndësishme duhet të përballen me ndjekje penale, shkruan Reuters.

Pas dhunës së shkaktuar, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë të votave miratoi hetimet kundër presidentit Trump. Ai është presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që akuzohet dy herë zyrtarisht nga dhoma e ulët e Senatit. Ndaj tij rëndon akuza për nxitje të kryengritjes.

Trumpi fillimisht thuri fjalë lavdie për përkrahësit që ushtruan dhunë më 6 janar, por më vonë tha se ata do të dalin para drejtësisë. Disa figura të rëndësishme janë distancuar nga qëndrimi i Trumpit dhe dhjetë anëtarë të partisë së tij votuan për zhvillimin e hetimeve ndaj presidentit që i kanë mbetur edhe katër ditë në pushtet.

(Kosova Sot Online )