Tentimvrasja në Klinë, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

  • E.K /
  • 18 January 2021 - 10:12
Tentimvrasja në Klinë, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L.T. për tentimvrasje.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se rasti kishte ndodhur në muajin gusht të vitit 2020, në parkingun e parkut të lojërave.

“Me datë 14.08.2020, rreth orës 21:34, në Klinë, te parkingu i parkut të lojërave, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme dhe përleshjes fizike në mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, të pandehurit kanë tentuar që të privojnë nga jeta të dëmtuarit në atë mënyrë që, të pandehurit gjatë përleshjes nxjerrin thikat dhe godasin të dëmtuarit duke iu shkaktuar lëndime trupore të cilat në momentin e shkaktimit ishin të rrezikshme për jetën e pastaj ikin nga vendi i ngjarjes ndërsa, të dëmtuarit dërgohen në spital me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime të pandehurit S.T dhe L.T dyshohet se kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 173 par.1 pika 1.11 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

S.T. i është caktuar masa e paraburgimit dy ditë pasi kishte ndodhur rasti, ndërkaq L.T. është arrestuar më 15 janar të këtij viti.

“Të pandehurit S.T i është caktuar masa e paraburgimit me datë 16.08.2020 ndërsa, i pandehuri L.T ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë deri me datë 15.01.2021 kur është arrestuar dhe është sjellë para gjykatës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do procedohen të dy të pandehurit të cilët janë vëllezër, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se të njëjtit mund të koordinojnë dhe harmonizojnë mbrojtjen e tyre si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë për ndryshimin e deklaratave të tyre, e me qëllim të shmangies apo zbutjes së përgjegjësisë penale si dhe të ndikojnë te të dëmtuarit dhe dëshmitarët e tjerë të cilët ende nuk janë procedura, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës”, bën të ditur Gjykata.

“Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën në të cilën është kryer dhe fakti i kryerjes së veprës penale në një vend ku në momentin e kryerjes kanë qenë të grumbulluar një numër i madh i njerëzve, si dhe duke pas parasysh raportet e acaruara me të dëmtuarit, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)