Goran Rakiq: Më mirë e bëjmë luftën brenda institucioneve të Kosovës, sesa në urën e Mitrovicës

  • E.K /
  • 18 January 2021 - 11:29
Goran Rakiq: Më mirë e bëjmë luftën brenda institucioneve të Kosovës, sesa në urën e Mitrovicës

Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq, ka folur për vështirësitë që ai pretendon se i kanë serbët në Kosovë dhe luftën që, sipas tij, po e bëjnë zyrtarët serbë brenda institucioneve të Kosovës. Tutje ai është zotuar se s’do të respektojnë asgjë zyrtare të Kosovës.

“Populli serb e di se raporti i institucioneve të Kosovës ndaj serbëve është i pashembullt, veprimi ynë brenda këtyre institucioneve është luftë e përditëshme në të cilën nuk ka kushte të drejta e as minimum të respektit ndaj popullit tonë, por pa marrë parasysh pengesat, ne nuk kemi alternativë tjetër përveç se të luftojmë dhe të punojmë”, ka deklaruar Rakiq.

Ai për gazetën serbe “Veçernje Novosti” ka thënë se Lista Serbe prej themelimit ka një qëllim, “që të gjithë serbët në Kosovë, nën flamurin e vetëm, së bashku me presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Serbinë, të luftojnë për mbrojtje të interesave të popullit serb”.

Ai ka thënë se është më mirë që “luftën për qytetarët të zbatojmë brenda institucioneve të Kosovës, sesa në urën e Mitrovicës, apo në ndonjë vend tjetër”.

“Kjo punë nuk ka qenë dhe nuk është aspak e lehtë, por ky është obligimi ynë, që në këto kohëra të vështira të jemi mbështetje për popullin tonë”, ka pretenduar Rakiq.

(Kosova Sot Online)