Prezantohet Strategjia për Sundimin e Ligjit, fokus lufta kundër korrupsionit

  • E.K /
  • 18 January 2021 - 12:07
Prezantohet Strategjia për Sundimin e Ligjit, fokus lufta kundër korrupsionit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka prezantuar në një konferencë për medie Projekt-Strategjinë për Sundimin e Ligjit për vitet 2021-2025.

Selimi shpalosi se strategjia përmban katër objektiva: Fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës anti-korrupsion.

Sipas tij, ky proces ka nisur në kohën e Qeverisë dhe është zhvilluar në tri faza, duke marrë ekspertizë nga jashtë.

Ai ka sqaruar se janë mbajtur 45 takime me mbi 100 pjesëmarrës nga gjyqësori, prokuroria, akademia, shoqëria civile e të gjitha institucionet tjera të involvuara në sferën e sundimit të ligjit.

“Strategjia që po e shpalosim sot, është produkt i një procesi të gjatë dhe të detajuar, procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ky proces, i cili filloi para disa vitesh në Qeverinë Haradinaj, u zhvillua në tri faza: në fazën e parë u bënë disa analiza paraprake të cilat identifikuan çështjet kryesore të cilat duhej të analizoheshin më tej”, tha ai.

Ai theksoi se janë prodhuar 16 dokumente të politikave me ekspertizë të jashtme e vendore.

“Më pas, në fazën e dytë, u analizuan këto probleme në katër kapituj dhe u prodhuan gjithsej 16 dokumente të politikave, me ekspertizë të jashtme e vendore që u mundësua nga partnerët tanë – Unioni Evropian, Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike dhe UNDP. Përmes kësaj faze, ky proces u mundua që të diagnostifikojë secilin problem që sot shkakton humbjen e besimit të qytetarëve në drejtësi, si rezultat i ngecjeve në vënien e drejtësisë”, shtoi Selimi.

(Kosova Sot Online)