Pse nuk po kandidojnë për deputetë Kuçi, Beqiri, Kadaj-Bujupi, Abrashi dhe të tjerët?

  • A.P /
  • 18 January 2021 - 18:09
Pse nuk po kandidojnë për deputetë Kuçi, Beqiri, Kadaj-Bujupi, Abrashi dhe të tjerët?

Në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të garojnë për deputetë disa figura të njohura në organin më të lartë ligjvënës të shtetit. Hajredin Kuçi, Ismet Beqiri, Donika Kadaj-Bujupi e Gazmend Abrashi nuk janë të përfshirë në listat e kandidatëve të subjekteve politike për arsye të ndryshme, të cilat i kanë treguar vetë.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, qysh në fillim të janarit kishte treguar se nuk do të jetë pjesë e garës zgjedhore. Ai kishte thënë se në zgjedhjet e fundit kishte garuar vetëm pasi këtë ia kishte kërkuar me ngulm ish-kryetari i partisë, Kadri Veseli.

“Edhe më 2019 kam pasur kërkesë nga kryetari Veseli. Nuk mund ta quaj lutje, kërkesë ishte. E kam pranuar atëherë. Mendoj që e meritoj të pushoj kësaj radhe. Edhe pagën e kam marrë përgjysmë në Kuvend. Ndoshta një ambient që ende nuk e kam gjetur vetën. Gjërat po shkojnë ndryshe. Nuk kam qenë pjesë e komisioneve”, ka thënë Kuçi.

Në listën e kandidatëve të LDK-së për deputetë, sivjet nuk do të jetë as Ismet Beqiri, ish-kryetar i Prishtinës dhe deputet në gjashtë legjislatura të Kuvendit. Ai tha se po u lë hapësirë kandidatëve tjerë nga dega e LDK-së në Vranjevc, ku është kryetar.

“Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm”, shkroi ndër tjerash Beqiri në Facebook. Për moskandidimin e tij, ai tha se ka marrë edhe pëlqimin e degës.

Donika Kadaj-Bujupi konsideron se hapësira politike në Kosovë po ndryshon, andaj ajo ka vendosur të mos jetë në listën e asnjë subjekti politik në këto zgjedhje. Ajo tha se për të garuar do t’i ishte dashur të bënte kompromis me bindjet e saj, andaj tha se ka vendosur që të mos jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve.

“Duke e parë që hapësira politike sot po ndryshon, dhe duke mos e gjetur shprehjen e organizuar e kolektive për bindjet e mia, unë kam vendosur që në këtë proces zgjedhor të mos garojë. E gjetur mes dy mundësish: të garojë për vete duke bërë kompromis me bindjet e mia, ose te mos marrë pjesë në garë duke bërë kompromis me interesin vetanak, kam zgjedhur të dytën. Më e rëndësishme është t’u mbetem besnike bindjeve të mia, të cilat mund të gjejnë shprehje politike në të ardhmen, se sa të heq dorë nga ato e ta depolitizojë rolin e përfaqësueses”, shkroi ajo ndër tjerash në Facebook.

Ajo i falenderoi kolegët për bashkëpunimin, ndërsa qytetarëve u tha se “do të shihemi prapë”.

Pa ndonjë shpjegim të ngjashëm në Facebook si kolegët e tij në Facebook, deputeti aktiv i AAK-së gjatë legjislaturës së fundit, Gazmend Abrashi, vendosi të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga partia e Ramush Haradinajt. Por në një përgjigjje për Express, Abrashi tha se ka qenë dëshirë e tij që të tërhiqet, pa shpjeguar arsyet.

“Jam tërhequr me vetëiniciativë. Nuk do të jem kandidat për kryetar të Mitrovicës”, tha shkurt ai.

Ndërkohë në listën e LDK-së nuk do të jetë Fatmir Rexhepi. Zyrtari që është moti në LDK, në njërën nga seancat e fundit të Kuvendit i përshëndeti kolegët duke treguar se nuk do të garojë më.

“Në zgjedhjet e ardhshme, unë nuk do të jem kandidat për deputet”, tha Rexhepi, i cili disa ditë më vonë kishte shpjeguar arsyet e tërheqjes, që lidheshin me kontributin e tij në Kuvend.

Taulant Kryeziu që në zgjedhjet e fundit ishte në Grupin Parlamentar të LVV-së, ka mbetur po ashtu jashtë listës së kandidatëve për deputetë.

Në një postim në Facebook, ai tha se ishte propozuar nga kryetari i partisë, Albin Kurti, për të qenë në listë, por tha se nuk ka dashur vetë të kandidojë, pa i bërë të ditura arsyet.

“Miq të nderuar,Edhe pse isha i propozuar nga Kryetari Kurti që të jem kandidat për deputet nga lista e Vetëvendosjes, për arsye subjektive kam vendosur që të mos kandidoj për deputet në zgjedhjet e përgjithshme të Republikës. Do të jem krah VV-së në arritjen e suksesit të madh në këto zgjedhje dhe natyrisht edhe mbështetës ndaj Qeverisë në ardhje Kurti 2”, shkroi ai në Facebook. 

(Kosova Sot Online)