Shpërthimi i variantit të ri të COVID-19 rrezikon Kosovën, vendi s’mund ta detektojë atë

  • A.P /
  • 18 January 2021 - 18:29
Shpërthimi i variantit të ri të COVID-19 rrezikon Kosovën, vendi s’mund ta detektojë atë

Varianti i ri i COVID-19 i shfaqur fillimisht në Britani të Madhe, shumë shpejt ka filluar të përhapet edhe në shtete tjera. Së fundmi një shpërthim i këtij varianti është parë edhe në Zvicër, ku dhjetëra raste të infektuara janë identifikuar. Ndonëse ky variant ka filluar të përhapet me shpejtësi, Kosova nuk ka laboratorë që mund ta detektojnë atë, derisa thuhet se as Qeveria nuk e ka në kontroll parandalimin e përhapjes së tij.

Për shkak që varianti i ri i COVID-19 nuk mund të verifikohet në Kosovë, 30 mostra të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme janë dërguar sot në një laborator në Berlin.

Edhe pse ky variant është vlerësuar të jetë për 70 për qind më i transmetueshëm, në Kosovë nuk shihet si prioritet që detektimi i tij të bëhet në vend.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Xhevat Jakupi, ka treguar se sot një kompani nga Berlini i ka marrë mostrat me COVID-19 nga IKSHPK dhe i ka dërguar në Berlin.

Ai është shprehur se nuk u kanë dhënë informacione se kur do t’ua bëjnë publike rezultatet e mostrave, ndërsa ka thënë se në aspektin laboratorik nuk ka dallime në diagnozë mes variantit të ri dhe atij aktual.

“Nga aspekti laboratorik nuk ka dallime në diagnozë mes atyre me variant dhe pa variant. Nëse janë persona të infektuar të gjithë rezultojnë pozitiv. Në aspektin diagnostik nuk ka asnjë problem në diagnozë laboratorike. Ne do t’i shqyrtojmë mundësitë dhe do të dërgojmë edhe disa mostra për qëllime të punës tonë, për kontroll të kualitetit në muajt e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Ndërsa, njohës të shëndetësisë thonë se nëse varianti i ri del të jetë i pranishëm në Kosovë, atëherë do të rritet edhe më shumë numri i të infektuarve me COVID-19.

Ish-anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë Hoti për masat që ka marrë deri tani në parandalimin e përhapjes së pandemisë, masa të cilat ai i ka konsideruar të paefektshme

Ai ka thënë se nëse varianti i ri i COVID-19 është prezent në vend, atëherë do të rritet edhe më shumë numri i të infektuarve.

“Masat e Qeverisë janë treguar të paefektshme. Ne kemi pasur një rritje të numrit të rasteve dhe rritje të vdekshmërisë, pa variantin e ri. Nëse do të jetë prezent varianti i ri, atëherë sëmundshmëria do të rritet edhe më shumë”, ka thënë ai.

Haxhiu ka theksuar se Qeveria Hoti është larg marrjes së masave adekuate për parandalimin e infektimeve me COVID-19.

Ndërsa, zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë  se kanë pezulluar linjat ajrore me Britaninë e Madhe, ku edhe është paraqitur për herë të parë varianti i ri i COVID-19.

Nga kjo ministri është thënë se çdo masë e konsideruar e nevojshme është ndërmarrë dhe se situata është nën monitorim të vazhduar.

Ndërsa, sipas MSH’së, me vendimet e fundit të Qeverisë është përcaktuar se ndaj cilave shtete do të kërkohen testet PCR si parakusht për të hyrë ne Kosovë.

“Janë pezulluar linjat ajrore me Britaninë e Madhe, të gjithë atyre që vijnë në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë dhe shtetet që kanë regjistruar raste të SARS COV-2 dhe të variantit të ri, u kërkohen teste si parakusht për të hyrë në Kosovë, dhe janë rritur masat e monitorimit dhe përcjelljes epidemiologjike”, është thënë nga MSH.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, i ka thënë gazetës se janë duke vepruar në bazë të masave kundër COVID-19 që janë vendosur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që nga fillimi i pandemisë.

“Ne jemi duke vepruar me masat anti-COVID 19 të vendosura nga IKSHP që nga fillimi i pandemisë, në bashkëpunim me autoritetet relevant”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që gjithnjë e më shumë vende në të gjithë botën po raportojnë raste të infektuara me mutacionin e ri të COVID-19.

Ndonëse Kosova ka pezulluar linjat ajrore me Britaninë, tashmë rreziku për përhapjen e variantit të ri vie edhe nga shtetet tjera.

(Kosova Sot Online)