ShBA-ja e shpall gjenocid trajtimin e ujgurëve nga Kina

  • E.K /
  • 20 January 2021 - 10:54
ShBA-ja e shpall gjenocid trajtimin e ujgurëve nga Kina

Kina ka kryer gjenocid me shtypjen e ujgurëve dhe pakicave tjera kryesisht myslimane, tha të martën sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari në ardhje i Departamentit të Shtetit, i cili do ta marrë detyrën së shpejti, Antony Blinken, tha se pajtohet me vlerësimin e paraardhësit të tij, shkruan BBC.

“Unë besoj se gjenocidi është i vazhdueshëm dhe se ne jemi dëshmitarë të një përpjekjeje sistematike për shkatërrimin e ujgurëve nga shteti-parti i Kinës”, tha Pompeo në një deklaratë.

Ndonëse kjo deklaratë e shton presion ndaj Kinës, ajo nuk nënkupton sanksione të reja ndaj vendit komunist.

Shefi i ri i Departamentit të Shtetit, Blinken, u pyet të martën nëse pajtohet me vlerësimin e Pompeos për këtë çështje. Ai tha: “Ky do të ishte vlerësimi im, gjithashtu”.

Edhe ekipi i Bidenit bëri vlerësim të ngjashëm për trajtimin e ujgurëve në gusht të vitit të kaluar, duke thënë se kjo pakicë ka përjetuar shtypje që s’shprehet me fjalë në duart e qeverisë autoritare të Kinës.

Grupet për të drejtat e njeriut besojnë se Kina i ka ndaluar rreth një milion ujgurë në vitet e fundit, duke i dërguar ata në të ashtuquajturat “kampe të riedukimit”. Sidoqoftë, televizioni BBC ka hulumtuar dhe ka zbuluar se ujgurët ka mundësi që janë duke u përdorur si fuqi punëtore.

Kina i ka arsyetuar këto kampe me luftimin e separatizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit në rajonin e skajshëm perëndimor, ku jetojnë rreth 11 milionë ujgurë.

(Kosova Sot Online)