Albin Kurti flet pas vendimit të KQZ-së: Jam bartës liste që i respekton Kushtetutën dhe ligjet

  • G.G /
  • 21 janar 2021 - 09:39
Albin Kurti flet pas vendimit të KQZ-së: Jam bartës liste që i respekton Kushtetutën dhe ligjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanin, kanë bërë homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, në 15-vjetorin e vdekjes së tij.

Kurti tha se në 15-vjetorin e vdekjes së Rugovës, e kujton insistimin e tij politik dhe përkushtimin e tij institucional.

“Sot bashkë me Presidenten e Republikës erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskëta te varri i doktor Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës nga viti 1992 dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës pas çlirimit tonë. Duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional, qetësinë dhe durimin njerëzor”, deklaroi Kurti.

I pyetur për moscertifikimin e tij nga KQZ për zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti tha se partia e tij ka dorëzuar listën dhe ajo është lista e VV’së.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti ka qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell, për një darkë me ish-Presidentin, por ai është viti i kaluar, mendoj se institucionet e shtetit duhet të apdejtohen, në rrethanat e reja ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kanë ngjallur një entuziazëm të paparë për pjesëmarrje masive të qytetarëve”, deklaroi Kurti

Ai tha se është bartës i listës që i respekton në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

“Jam bartës liste i cili i respekton me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)