Kina godet MIke Pompeon me sanksione pasi tha se ndaj ujgurëve është bërë gjenocid

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 10:05
Kina godet MIke Pompeon me sanksione pasi tha se ndaj ujgurëve është bërë gjenocid

Kina ka vendosur sanksione ndaj sekretarit të deritashëm të Shtetit, Mike Pompeo, duke e quajtur gënjeshtar dhe mashtrues. Përpos tij, në sanksione u përfshinë edhe 27 zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së Trumpit.

Ky vendim është shenjë e zemërimit të Kinës pas akuzave që bëri Pompeo ndaj shtetit komunist në ditën e fundit në postin e sekretarit të Shtetit, duke thënë se Kina ka kryer gjenocid ndaj myslimanëve ujgurë. Të njëjtin mendim e ka edhe sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken.

“Pompeo dhe të tjerët kanë planifikuar, promovuar dhe ekzekutuar një varg lëvizjesh të çmendura, ka ndërhyrë rëndë në çështjet e brendshme të Kinës, i ka minuar interesat e Kinës, e ka ofenduar popullin kinez dhe seriozisht i ka penguar marrëdhëniet Kinë – ShBA”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Në mesin e zyrtarëve të tjerë të cilëve u vendosën sanksione nga kina janë shefi i Tregtisë, Peter Navarro, këshilltarët për siguri kombëtare, Robert O’Brien dhe John Bolton, sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar, ambasadorja e ShBA-së në OKB, Kelly Craft, dhe ish ndihmësi i lartë i Trumpit, Steve Bannon, shkruan The Guardian.

Njëzet e tetë ish-zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre do t’u ndalohet hyrja në Kinë, Hong Kong dhe Macao. Kompanitë dhe institucionet e lidhura me këta individë nuk do të kenë mundësi të bëjnë tregti me Kinën.

(Kosova Sot Online)