Pas urdhrit të Joe Biden, pezullohen për 100 ditë dëbimet nga ShBA-ja

  • E.K /
  • 21 January 2021 - 10:17
Pas urdhrit të Joe Biden, pezullohen për 100 ditë dëbimet nga ShBA-ja

Departamenti i Sigurisë së Atdheut do ta pezullojë dëbimin e imigrantëve për 100 ditë, me disa përjashtime. Njoftimi për këtë vendim është pjesë e një vargu vendimesh të nënshkruara nga presidenti i ri i ShBA-së, Joe Biden, vetëm disa orë pas ardhjes në pushtet.

Përpos pezullimit të dëbimit të imigrantëve, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë mori vendim edhe për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e murit në kufi me Meksikën dhe për shfuqizimin e vendimeve të Trumpit sa i përket politikës së migracionit.

Në deklaratën për shtyp të Departamentit të Sigurisë së Atdheut thuhet: “Vendimi për ndërprerjen e përkohshme të dëbimeve është marrë për t’u siguruar që të ketë sistem efektiv dhe të drejtë të migracionit, të përqendruar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë publike”. Vendimi do të zbatohet nga dita e premte.

Moratoriumi e përfshin shumicën e dëbimeve të planifikuara, por i përjashton individët që kanë ardhur në ShBA pas 1 nëntorit, personat që janë të dyshuar për terrorizëm ose spiunazh ose që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, shkruan CNN.

Ndërprerja e dëbimeve për një periudhë të caktuar ka për qëllim që të krijohet hapësirë kohore për një rishikim të brendshëm.

Udhëzimi i ri gjithashtu vendos prioritete rreth zbatimit të politikave, duke shënuar rikthim të praktikave të ish-presidentit Obama. Në këto fusha përfshihen siguria kombëtare, siguria kufitare dhe siguria publike.

(Kosova Sot Online)