Cilat janë opsionet e mundshme nga PZAP-ja për kandidatët e pacertifikuar?

  • A.P /
  • 25 January 2021 - 22:17
Cilat janë opsionet e mundshme nga PZAP-ja për kandidatët e pacertifikuar?

Disa nga partitë politike, listat e të cilave nuk janë certifikuar ende nga KQZ-ja, presin që një mundësi të tillë do t’ua jep PZAP. Ky institucion nesër do të dalë me një vendim për këtë çështje.

Njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj thotë se pret nga PZAP që të shqyrtojë rastet e secilit kandidat veç e veç.

“Unë besoj se PZAP do t’i shqyrtojë rastet veç e veç dhe do t’i ndajë veprat penale që kanë aktgjykim të prerë për tri vitet e fundit duke u bazuar në vendimin e Kushtetueses dhe ato dënime që lidhen me gjobat e trafikut”, tha Nrecaj.

Ndërsa Naim Jakaj nga Instituti për Studime Sociale mendon se PZAP do të certifikojë pjesërisht listat e subjekteve që deri më tani nuk janë certifikuar.

“Është e ditur se PZAP do t’i miratojë pjesërisht ankesat e subjekteve politike, por mbetet problem se si do të jetë renditja e kandidatëve pasi vendet të mbesin boshe nga kandidatët e pa certifikuar”, tha Jakaj.

Nëse partitë politike nuk janë të kënaqura as me vendimin e PZAP-së ato mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme. I tërë procesi i certifikimit duhet të përfundojë para datës 1 shkurt.

(Kosova Sot Online)