Mos u ankoni për testimin nga hunda, në Kinë fillon testimi nga zorra e trashë

  • E. /
  • 27 January 2021 - 11:04
Mos u ankoni për testimin nga hunda, në Kinë fillon testimi nga zorra e trashë

Shumë njerëz janë ankuar për ndjenjën e pakëndshme të marrjes së mostrës për analizë nga hunda për testin për Covid-19. Megjithatë, kinezët tani mund të kenë një arsye shtesë për t’u ankuar. Atje kanë filluar testimet duke marrë mostra nga zorra e trashë.

Përdoruesit e rrjeteve sociale dhe udhëtarët kanë filluar të ankohen për metodën e pazakontë të testimit për koronavirus, por mjekët kanë thënë se kjo mënyrë është më efektive për ta dalluar praninë e virusit, shkruan The Guardian.

Zyrtarët morën mostra nga banorët e lagjeve me raste të konfirmuara të koronavirusit në Pekin javën e kaluar, ndërsa testimit i janë nënshtruar edhe personat që ndodhen në hapësirat e karantinimit.

Vatrat e vogla të përhapjes në javët e fundit në pjesën veriore të shtetit i kanë shtyrë autoritetet që t’i izolojnë këto zona nga pjesa tjetër e vendit dhe të fillojnë testim masiv të popullsisë. Sidoqoftë, shumica e testeve janë kryer përmes mostrave të marra nga fyti ose hunda.

Li Tongzeng, mjek në spitalin You’an të Pekinit, i tha televizionit shtetëror, CCTV, se metoda e re e testimit mund ta rrisë shkallën e vërejtjes së virusit te personat e infektuar për shkak se, sipas tij, shenjat e virusit qëndrojnë më gjatë në zorrën e trashë sesa në traktin respirator.

Televizioni shtetëror raportoi ditë më parë se testimi përmes zorrës së trashë nuk do të përdoret aq gjerësisht sa metodat tjera, sepse kjo teknikë nuk është “e përshtatshme”.

(Kosova Sot Online)