Një person gjobitet me 35.000 dollarë për 7 shkelje të karantinës

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 12:23
 Një person gjobitet me 35.000 dollarë për 7 shkelje të karantinës

Një burrë në Tajvan është dënuar me 1 milion dollarë tajvanezë apo rreth 35.000 dollarë amerikanë për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës për disa herë me radhë.

Burri i paidentifikuar, i cili jeton në Taichung, ishte duke qëndruar në karantinë në banesën e vet pasi ishte kthyer nga një udhëtim pune. Sidoqoftë, ai e ka shkelur karantinën së paku shtatë herë, shkruan CNN.

Sipas televizionit TTV News, ky burrë ka dalë nga banesa shtatë herë brenda vetëm tri ditëve për të shkuar në dyqan, për ta ndrequr veturën dhe për arsye të tjera. Raportohet se ai u takua me një fqinj, i cili e kundështroi për daljen nga karantina.

Qeveria lokale në Taichung konfirmoi se burri është kthyer nga Kina më 21 janar, ndërsa me rregulla kërkohet që karantina të zgjasë 14 ditë.

Kryetarja e qytetit, Lu Shiow-yen, tha se kjo është shkelje serioze dhe se burri duhet të marrë ndëshkim të ashpër.

Përpos gjobës, që është më e madhja deri më tani në Tajvan, ky burrë do të detyrohet të paguajë nga 3.000 dollarë tajvanezë ose 107 dollarë amerikanë në ditë për koston e karantinës.

Qeveria e Tajvanit i ka kompensuar personat në karantinë me nga 1.000 dollarë tajvanezë ose 35 dollarë amerikanë në ditë, por ky person e ka humbur të drejtën në këto fonde.

Ndryshe, Tajvani është vlerësuar si një ndër vendet më të suksesshme në luftën kundër pandemisë. Me mbi 23 milionë banorë, Tajvani deri tani ka vetëm 890 raste dhe shtatë të vdekur nga Covid-19.

(Kosova Sot Online)