Rusia e miraton zgjatjen e traktatit bërthamor me ShBA-në pak ditë para skadimit

  • A.P /
  • 27 January 2021 - 16:02
Rusia e miraton zgjatjen e traktatit bërthamor me ShBA-në pak ditë para skadimit

Kuvendi i Rusisë të mërkurën e miratoi zgjatjen për pesë vjet të afatit të traktatit për kontrollimin e armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

I nënshkruar në vitin 2010, traktati START është dokument me të cilin kufizohet numri i i kokave bërthamore, raketave dhe bombarduesve bërthamorë që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund t’i mbajnë në gjendje gatishmërie.

Aktualisht, këto dy vende kanë më së shumti koka bërthamore në gjendje gatishmërie në botë, bindshëm më shumë se shtetet tjera. ShBA-ja ka 1.750 koka bërthamore në gjendje gatishmërie, ndërsa Rusia 1.572. Franca është e treta me 280 koka bërthamore në gjendje gatishmërie.

Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi menjëherë njoftimin e Kremlinit për zgjatjen e afatit të traktatit, por tha se presidenti i ri amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë diskutuar për këtë çështje përmes telefonit dhe janë pajtuar që ekipet e tyre të punojnë urgjentisht për miratimin e zgjatjes së afatit të traktatit para 5 shkurtit, kur do të skandonte marrëveshja e rëndësishme.

Të dyja dhomat e kuvendit rus, Duma Shtetërore dhe Këshilli Federal, me procedurë të përshpejtuar e miratuan të mërkurën zgjatjen e afatit të marrëveshjes, që është traktati i fundit i këtij lloji që ka mbetur në fuqi mes dy fuqive bërthamore.

Uashingtoni dhe Moska më parë kishin dështuar që të merren vesh për zgjatjen e afatit të traktatit gjatë pushtetit të ish-presidentit Trump, administrata e të cilit kërkonte që marrëveshjes t’i shtoheshin disa kushte, të cilat Rusia i kishte refuzuar.

Duke folur në një takim virtual të Forumit Ekonomik Botëror, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se zgjatja e afatit të traktatit bërthamor është një hap në drejtimin e duhur.

(Kosova Sot Online)