Franca mbyll kufirin për shumicën e udhëtimeve jashtë BE-së

  • E.K /
  • 30 January 2021 - 10:27
Franca mbyll kufirin për shumicën e udhëtimeve jashtë BE-së

Kryeministri i Francës, Jean Castex, njoftoi për masa të rrepta kufitare kundër Covid-19, por përsëri nuk vendosi që të ketë izolim të ri mbarëkombëtar.

Nga e diela, të gjitha udhëtimet, përpos udhëtimeve esenciale, nga vendet që s’janë pjesë e BE-së do të ndalohen. Do të ashpërsohen rregullat e testimit edhe për udhëtimet brenda BE-së.

Kryeministri Castex tha se policia do t’i shtojë masat për zbatimin e orës policore gjatë natës dhe rregullat e tjera që tashmë janë në fuqi, shkruan BBC.

Masat e reja do ta prekin Britaninë e Madhe, që tashmë nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian, por ministri britanik i transportit tha se rregullat e Francës nuk do t’i prekin transportuesit, prandaj transportimi i mallrave do të zhvillohet normalisht.

Mundësia për izolimin e tretë kombëtar në Francë është përmendur gjatë tërë javës. Zyrtarët e lartë shëndetësorë kanë thënë se një gjë e tillë do të jetë e nevojshme për shkak të numrit të madh të pacientëve në spitale dhe përhapjes së varianteve të reja të virusit.

Megjithatë, të premten, pas takimit me zyrtarët e mbrojtjes dhe të sigurisë, kryeministri Castex tha përmes një deklarate të transmetuar në televizion se izolimi kombëtar ende nuk do të vendoset.

“E dimë efektin e madh të izolimit. Sonte, duke i shikuar të dhënat e ditëve të fundit, ne vlerësojmë se ende mund t’i japim vetes një mundësi për ta shmangur atë”, tha kryeministri francez.

(Kosova Sot Online)